Lidhje

Ambasadorët e NATO-s nuk arrijnë të zgjidhin mosmarrëveshjet mbi mbështetjen ushtarake për Turqinë - 2003-02-11


Ambasadorët e vendeve anëtare të Natos u takuan sot në Bruksel, por nuk arritën të zgjidhnin mosmarrëveshjet rreth mbështetjes ushtarake për Turqinë, në prag të një lufte të mundshme me Irakun. Zyrtarë të aleancës thanë se do të vazhdojnë sot diskutimet mbi këtë çështje në Bruksel.

Turqia filloi bisedimet e veçanta pasi Franca, Gjermania dhe Belgjika përdoren të drejtën e vetos për të bllokuar kërkesën e Shteteve të Bashkuara që aleanca të fillojë hartimin e planeve për mbrojtjen e Turqisë. Ankaraja thotë se NATO-ja është e detyruar të fillojë përgatitjet, por 3 vendet evropiane thanë se dërgimi tani i pajisjeve ushtarake të NATO-s është një hap i parakohshëm.

Në Washington, Presidenti Bush shprehu zhgënjim për qëndrimin e Francës në bllokimin e planeve të Natos për të ndihmuar Turqinë. Ky qëndrim, tha presidenti, do të ndikojë negativisht mbi Aleancën: "Zemërim nuk është fjala e duhur, - tha presidenti.- Jam i zhgënjyer që Franca bllokoi Naton, duke mos lejuar një vend si Turqia të përgatitet. Nuk e kuptoj një vendim të tillë. Ai ndikon negativisht mbi Aleancën. Kur nuk nxirret një deklaratë mbrojtjeje për një vend anëtar, ky fakt mendoj se ndikon negativisht mbi Naton. Kohët e fundit bisedova me presidentin Shirak dhe e sigurova se do të vazhdonim bashkëpunimin me Francën, me sa mundemi. Franca ka qenë mike e vjetër e Shteteve të Bashkuara. Ne kemi shumë gjëra të përbashkëta. Por mendoj se vendimi i tyre në Nato nuk ishte i peshuar mirë, mendoj unë. Mendoj se ata do ta rishikojnë këtë vendim, -tha Presidenti Bush.

Në Pentagon, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Rumsfeld tha se vendimi i Belgjikës, Gjermanisë dhe Francës ishte i gabuar: "Ne, -tha zoti Rumsfeld,- duhet të përpiqemi që planifikimet të vazhdojnë, mundësisht në kuadër të Natos, por nëse nuk është e mundur, atëhere do vazhdojmë me marrëveshje dy, apo shumë-palëshe. Ne i kemi filluar përpjekjet në këtë drejtim." Sekretari i Mbrojtjes Rumsfeld shtoi se, nëse tre vendet evropiane vazhdojnë t’i përmbahen këtij qëndrimi, 16 vendet e tjera anëtare të Aleancës do të formojnë një koalicion për të ofruar ndihmën e nevojshme.

Në Departmantin e Shtetit, Sekretari Colin Powell tha se shpreson që vendet që mbajnë qëndrim të kundërt me Shtetet e Bashkuara do ta kuptojnë se gabohen. "Shpresoj,- tha zoti Powell,- se Natoja do ta kuptojë tani se ka një detyrim të ndihmojnë një vend anëtar, i cili kërkon ndihmë. Neni 4 do të ofrojë zgjidhjen, që do të bëjë të mundur që Turqia të mos vihet në rrezik."

Shtetet e Bashkuara kërkojnë nga Natoja të dërgojë avionë paralajmërues, raketa për mbrojtjen ajrore dhe njësi të luftës kimike dhe biologjike në Turqi, për ta mbrojtur atë nga sulme të mundshme irakiane. Në këtë vend pritet të përqëndrohet një pjesë e rëndësishme e përgatitjeve për veprime të mundshme ushtarake kundër Irakut.

XS
SM
MD
LG