Lidhje

Një kasetë, që mendohet si e Bin Ladenit, kerkon sulme kundër amerikanëve - 2003-02-12


Kaseta, e transmetuar dje nga televizioni satelitor arab Al-Jazeera me qendër në Katar, u kërkon myslimanëve të mbështesin Irakun në rast të një lufte dhe bën thirrje për sulme vetvrasëse kundër Shteteve të Bashkuara. Zëri i regjistruar në kasetë u bën gjithashtu thirrje irakianëve të hapin llogore dhe të fillojnë luftën guerilase kundër trupave amerikane.

Sekretari i Shtetit, Colin Powell, tha se kaseta, për të cilën zyrtarët amerikanë besojnë se vërtet është me zërin e bin Ladenit, nxjerr në pah partneritetin midis udhëheqësit terrorist dhe Irakut të Saddam Husseinit.

Zoti Powell tha se kaseta provon gjithashtu se lidhja midis terroristëve dhe shteteve që përpiqen të krijojnë armë të shkatërrimit në masë, nuk mund të mos përfillet më.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Richard Boucher i tha televizionit Al-Jazeera se kaseta tregon që al-Qaida dhe Saddam Husseini kanë me sa duket një kauzë të përbashkët.

Zëri i regjistruar në kasetë nuk shpreh mbështetje për presidentin irakian. Aty thuhet se të gjithë myslimanët duhet të përkrahin popullin irakian dhe jo qeverinë irakiane. Kaseta paralajmëron gjithashtu udhëheqësit arabë që të mos u japin përkrahje Shteteve të Bashkuara për të sulmuar Irakun.

XS
SM
MD
LG