Lidhje

Powell përsëri në Këshillin e Sigurimit të OKB-së - 2003-02-12


Zoti Powell tha se duket qartë se Iraku nuk e ka kaluar provimin e çarmatimit të vendosur nga Këshilli i Sigurimit. Këshilltarët e tij thanë se njëra prej arsyeve të pjesmarrjes në takimin e të premtes do të jetë që të ndikojë kundër një hapi që pritet të merret nga Franca dhe Gjermania për të zgjeruar dhe zgjatur misionin e inspektorëve të armëve të OKB-së në Iraq.

Në një interpelancë para kongresit amerikan, zoti Powell tha se dështimi i Këshilli të Sigurimit për të detyruar Irakun të përmbushë rezolutën për çarmatim të nëntorit të vitit të kaluar do të rrezikonte besueshmërinë politike të këshillit. Ai tha se do ti konfrontonte kolegët e tij gjermanë dhe francezë mbi motivet për këtë vonesë të mëtejshme në ndërmarjen e veprimeve.

“Franca dhe Gjermania po rezistojnë. Ato besojnë se duhen më shumë inspektime, më shumë kohë. Pyetja ime do të jetë: Përse më shumë inspektorë? Edhe sa kohë më shumë duhet t’u jepet? Apo thjesht po shkaktoni vonesa për ta shpëtuar Sadam Huseinin nga përgjegjësia dhe nga çarmatimi? Këto janë pyetjet sfiduese që to të shtroja para tyre të premten dhe javën e ardhshme ndërsa debati mbi këtë çështje vazhdon”.

Franca po qarkullon tek Kombet e Bashkuara një propozim që kërkon dyfishimin, apo trefishimin e numrit të inspektorëve të OKBs në Irak dhe një proces inspektimi pa afat. Në dëshminë e tij zoti Powell tha se nuk ka asnjë dyshim se Iraku ka dështuar të bashkëpunojë me rezollutën e tetë nëntorit dhe tha se Këshilli i Sigurimit po i afrohet momentit të së vërtetës. Ai theksoi edhe njëherë gadishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të përdorur forcën nëse kjo lind e nevojshme për çarmatimin e Irakut.

“Mua nuk më pëlqen lufta. Kam qenë në luftë. Kam dërguar njerëz në luftë. Kam parë miq të mi të vdesin në luftë. Askush nuk e do luftën, por ndonjëherë ajo është e domosdoshme për të siguruar qetësinë ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të drejtojnë një koalicion nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara, por në qoftë se OKB-ja nuk vepron dhe demonstron mungesë vendosmërie, atëhere Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të veprojnë së bashku me një koalicion vendesh të gatshme të marrin pjesë në luftë”.

Franca, Gjermania dhe Rusia, kundërshtaret kryesore në Këshillin e Sigurimit kundër një përdorimi të hershëm të forcës kundër Irakut, priten gjithashtu të dërgojnë ministrat e tyre të jashtëm në takimin e së premtes. Kjo do të jetë pjesmarrja e dytë e zotit Powell në Këshillin e Sigurimit brenda 2 javësh, mbas raportit të mbajtur atje më pesë shkurt mbi shkeljet e Irakut në lidhje me armët e shkatërrimit në masë.

Ligjvënësi demokrat, Tom Lantos, e quajti qendrimin e të tre vendeve anëtare të aleancës si të përbuzshëm.

“Jam tepër i zhgënjyer nga qëndrimi i verbër dhe mungesa e theksuar e mirënjohjes nga ana e Francës, Gjermanisë dhe Belgjikës, vende që po bllokojnë përpjekjet tona qoftë edhe të përfshihemi në plane emergjence për të ndihmuar aleaten tonë, Turqinë, në rast se sulmohet nga Iraku. Për mendimin tim NATO-ja është një aleancë me qëllim të dyfishtë: të sigurojë mbrojtje dhe të kërkojë angazhime. Shtetet e Bashkuara e kanë përmbushur angazhimin e tyre, dhe pa përpjekjet heroike të ushtrisë sonë, Franca, Gjermania dhe Belgjika do të ishin sot republika sovjetike socialiste”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, tha se Shtetet e Bashkuara u përfshinë në luftë në Europë që t’i bëjnë ato vende të lira dhe demokratike, dhe se aleatët e Shteteve të Bashkuara gëzojnë të drejtën të vendosin se çfarë pozicionesh do të mbajnë.//ic//

XS
SM
MD
LG