Lidhje

Powell shpreson që NATOja ta kapërcejë së shpejti bllokimin e bisedimeve mbi mbështetjen ushtarake ndaj Turqisë - 2003-02-12


Sekretari i shtetit, Colin Powell, tha se shpreson që NATOja ta kapërcejë shpejt bllokimin e bisedimeve mbi mbështetjen ushtarake ndaj Turqisë në rast të ndonjë lufte me Irakun. Ai gjithashtu u tha senatorëve se Këshilli i Sigurimit i OKB-së po i afrohet momentit të së vërtetës mbi dështimin e Irakut që të dokumentojë asgjësimin e armëve të shkatërrimit në masë.

Sekretari Powell shprehu qartë acarimin e tij që aleatët e NATOs, Franca, Gjermania dhe Belgjika, po e përdornin të drejtën e vetos brenda aleancës për të treguar kundërshtimin e tyre ndaj politikës së ashpër të administratës së presidentit Bush mbi inspektimet e armëve të Irakut.

Por duke dëshmuar para Komisionit të Senatit mbi Buxhetin, zoti Powell tha se kërkesa e Turqisë për t’u mbrojtur nga NATOja është ”plotësisht e arsyeshme” dhe shfaqi shpresën për një zgjidhje të shprejtë të gjendjes pa rrugëdalje e cila ka tronditur solidaritetin e aleancës.

“Mendoj se është koha që aleanca ti thotë një anëtari tjetër të saj që jemi dakord me ty, dhe se shqetësimi yt është edhe shqetësimi ynë. Kjo është aleanca e vërtetë. Dhe shpresoj që brenda 24 orëve të ardhshme, NATOja do të bëjë atë që duhet në lidhje me Turqinë.”

Zoti Powell tha se shpreson se diplomacia intensive nga ana e Shteteve të Bashkuara do ti bindë të tre shtetet rezistuese se ka ardhur koha për t’i qëndruar në krah një anëtareje të NATOs që ka kërkuar ndihmë.

Ai tha se një mungesë përgjigjeje do të ishte për të ardhur keq, por Ankaraja do të ndihmohet nga Shtetet e Bashkuara dhe nga mbështetës të tjerë brenda aleancës.

Sekretari i shtetit tha gjithashtu se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara po i afrohet një pike, ku nuk mund të qëndrojë më indiferent ndaj dështimit të Irakut për të përmbushur rezolutën e nëntorit të vitit të kaluar, e cila i dha Irakut një mundësi të fundit për t’u çarmatosur.

Sekretari Powell tha se bashkëpunimi i Irakut, edhe sipas vlerësimeve të inspektorëve të OKBs, ka qenë thjesht pasiv dhe se së shpejti Këshilli i Sigurimit duhet të shqyrtojë “pasojat serioze” siç thuhet në rezolutën e saj.

“Njerëz të arsyeshëm mund të debatojnë mbi këtë çështje. Por është e qartë se po afrohet momenti i së vërtetës lidhur me Irakun dhe lidhur me përmbushjen e përgjegjësive të Këshillit të Sigurimit. Ky nuk është thjesht një debat akademik apo një prekje e sedrës së Shteteve të Bashkuara. Këtu ne flasim rreth armëve të vërteta.”

Sekretari Powell tha se presidenti Bush po pret me padurim raportin e së premtes që kryeinspektori i armëve Hans Blix do t’i paraqesë Këshillit të Sigurimit, pas misionit të tij gjatë fundit të javës së kaluar në Irak.

Në përgjithësi komisioni e priti mirë zotin Powell, megjithatë senatori demokrat Ernest Hollings tha se Sadam Huseini nuk paraqet ndonjë kërcënim imediat për sigurimin e Shteteve të Bashkuara dhe se administrata e presidentit Bush me politikën e saj të ashpër ndaj Irakut po vë në rrezik aleancat e saj ndërkombëtare.

//ze//

XS
SM
MD
LG