Lidhje

Presidenti Bush i bën thirje OKB-së të përmbushë përgjegjësitë e saj - 2003-02-13


Presidenti Bush thotë se Kombet e Bashkuara duhet të përgatiten për të vepruar ashpër për të detyruar zbatimin e rezolutave për çarmatimin e Irakut. Presidenti Bush i bëri këto komente në një bazë detare amerikane në shtetin e Floridës, ku ai u bëri thirrje marinarëve dhe vendit të përgatiten për një luftë të mundëshme.

Presidenti dha një mesazh të dyfishtë. Ai u tha marinarëve të jenë gati për luftë, duke shtuar se Amerika do të përdorë të gjithë fuqinë e saj për të mposhtur Sadam Huseinin. Ndërkohë ai i bëri thirrje Organizatës së Kombeve të Bashkuara që të përmbushë përgjegjësitë e e saj.

“Këshilli i Sigurimit i OKB-së tani mund të vendosë nëse e ka apo jo vendosmërinë për të imponuar zbatimin e rezolutave të tij,” tha presidenti.

Megjithë shenjat e kundërshtimit nga vende të tjera anëtare të përherëshme të Këshillit të Sigurimit, si Franca, Kina e Rusia, presidenti Bush tha se vazhdon të besojë se OKB-ja është në gjendje të imponojë zbatimin e kërkesave të saj për çarmatim.

“Jam optimist se vendet e lira do të tregojnë forcë dhe guxim përballë kërcënimeve të vërteta ndaj paqes dhe lirisë,” tha zoti Bush.

Presidenti i bëri këto komente gjatë një takimi me marinarët në bazën detare Mayport afër qytetit Jacksonville në Florida. Një pjesë e marinarëve të veshur me uniforma blu qëndronin përpara tij duke dëgjuar fjalimin, ndërsa të tjerët ishin rreshtuar në bordet e anijeve të ankoruara aty pranë.

Ata brohorisnin ndërsa presidenti fliste rreth kërcënimit irakian dhe deklaronte se do të fitonte ndaj Sadam Huseinit në rast të një lufte.

Përsëri, presidenti tha se udhëheqësi irakian po mashtron dhe nuk po çarmatoset. Ai tha se nëse përdorimi i forcës bëhet i nevojshëm, Amerika do të luftojë kundër shtypësve të Irakut dhe jo kundër popullit. Presidenti tha se ushtria e Shteteve të Bashkuara lufton jo për të pushtuar, por për të çliruar.

“Jo vetëm për të mundur terrorin por për të çuar përpara lirinë në një botë në paqe,” tha presidenti Bush.

Zëri i tij ishte i vendosur kur ai u kërkoi ushtarëve dhe popullit që të përgatiten për një luftë të mundëshme. Për marinarët, presidenti tha thjesht se “ju jeni thirrur për të mbrojtur lirinë tuaj”.

“Forcat e armatosura amerikane janë të guximshme dhe gati. Dhe në çështjen e lirisë ne do të triumfojmë,” tha presidenti.

Nesër, Këshilli i Sigurimit do të mblidhet për të dëgjuar një tjetër raport nga kryeinspektori i OKB-së për armët, Hans Bliks. Po nesër, Sekretari i Shtetit Kolin Powell do të takohet me zyrtarë të vendeve të tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit të cilët kërkojnë më shumë kohë dhe më shumë personel për inspektime dhe të flitet më pak për luftë. //ad//

XS
SM
MD
LG