Lidhje

Presidenti Bush: Iraku përbën rrezik, prandaj ai duhet të çaramtoset, në një formë, apo në një tjetër - 2003-02-14


Pasi degjoi raportin e kryeinspektorëve të armëve në Këshillin e Sigurimit, Presidenti Bush tha se Iraku do të çarmatoset me një rrugë, ose tjetër.

I ndodhur përballë kundërshtimit nga shumica e vendeve të Këshillit të Sigurimit, për një ndërhyrje ushtarake, presidenti Bush tha sot se ai është i vendosur të veprojë edhe i vetëm, në se do të jetë nevoja për të parandaluar udhëheqësin irakian Saddam Hussein, që të ndihmojë terroristët të sigurojnë armë kimike ose biologjike. "Saddam Husseini,- tha presidenti Bush,- ka armë të shkatërrimit në masë. Saddam Husdeini ështe mësuar të mashtrojë botën dhe ai po vazhdon të mashtrojë. Saddam Husseini ka lidhje me rrjetet terroriste. Ai përbën rrezik dhe prandaj ai do të çarmatoset me një formë, a një tjetër.”-tha presidenti.

Shtëpia e Bardhë thotë se zgjatja e misionit të inspektimeve do të thotë më shumë kohë për Sadam Huseinin që të fshehë armët. Iraku pohon se nuk ka armë të skatërrimit në masë dhe thotë se presidenti Bush është i vendosur ta sulmojë këtë vend, pavarësisht nga rezultati i punës së inspektorëve.

Pasi dëgjoi raportin e kryeinspektorëve te armeve ne Keshillin e Sigurimit, Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell tha se ne të konfirmohet se Bagdadi nuk është çarmatosur. Ai tha se Bagdadi po përpiqet ta zgjasë pafundësisht procesin e inspektimit të armëve, duke u mohuar inspektorëve kontaktet me specialistët irakianë të armëve dhe me dokumentet që ata kërkojnë. "Këto dokumente, duhet të ishin nxjerrë me shumicë nga shtëpitë dhe nga uzinat. Nuk do të kishte patur probleme për t’i marrë ato dhe për të intervistuar specialistët. Nëse Iraku do ta kishte seriozisht, personat që do të ishin kërkuar për intervistë do t’i gjeje tani pranë zyrave të OKB-së në Bagdad",- tha zoti Powell.

Zoti Powell, u tha të 14 vendeve të tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit, se në një të ardhme shumë të afërt, atyre do t'u duhet të shqyrtojnë ”pasojat serioze” që do të ketë sjellja e Irakut, siç kërkohet në rezolutën e Kombeve të Bashkuara të miratuar në muajin nëntor dhe ku kërkohet çarmatimi i Irakut.

Kryeinspektori Hans Blix tha sot para Këshillit të Sigurimit se Iraku nuk ka deklaruar shumë armë, për të cilat ishte urdhëruar t’i shkatërronte; ndersa kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjise Atomike, Mohamed ElBaradei tha se inspektorët nuk kanë gjetur prova se Iraku po vazhdon ndonjë program armësh bërthamore. Zoti ElBaradei e cilësoi gjithashtu dekretin që Presidenti irakian Saddam Hussein nxori sot për ndalimin e armëve të shkatërrimit në masë, një hap në drejtimin e duhur. Por Shtëpia e Bardhë thotë se dekreti nuk i duket aspak i besueshëm.

Tre vende anëtare të Këshillit të Sigurimit me të drejtën e vetos, Franca, Kina dhe Rusia, bënë thirrje që inspektimet të vazhdojnë. Franca tha se përsëri nuk ka prova për të justifikuar një luftë dhe se duhet mbajtur një takim i Ministrave të Jashtëm më 14 mars, për ta shqyrtuar këtë çështje.

Britania tha se Presidenti irakian, Saddam Hussein, duhet ta ndryshojë shpejt sjelljen e tij, në mënyrë që të shmangë luftën.

Ndërkohë, Ambasadori i Irakut në Kombet e Bashkuara, Mohammed Aldouri, tha se nuk ka patur shkelje materiale të rezolutave të Kombeve të Bashkuara. Ai tha se Iraku nuk ka asgjë për të fshehur. Zoti Aldouri tha se vendi i tij ka bashkëpunuar në mënyrë aktive me inspektorët.// lk //

XS
SM
MD
LG