Lidhje

Powell: Qëllimi ynë do të ishte  të kalonim me shpejtësi nga udhëheqja ushtarake në një udhëheqje civile në Irak - 2003-02-14


Administrata e presidentit Bush thotë se vazhdon të shpresojë se mund të shmanget një konflikt lidhur me mosrespektimin nga ana e Irakut të rezolutave të OKB-së për çarmatimin. Por zyrtarë të lartë të administratës thonë se po erdhi puna tek lufta, operacionet ushtarake do të kenë si objektiv shmangien e dëmtimeve të mëdha në infrastrukturën civile të vendit dhe që çdo administratë ushtarake e pasluftës për vendin nuk do të qendrojë gjatë.

Duke folur para Komisionit të Buxhetit të Dhomës së Përfaqësuesve, Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, tha se nuk do të bënte vlerësime të prera përsa i takon zgjatjes dhe kostos së konfliktit, por shtoi se ai do të ishte i shkurtër dhe se operacionet do të përqendroheshin në atë që ai e quajti udhëheqja despotike e vendit dhe jo në shoqërinë civile.

Zoti Powell tha që në se fushata do të ishte e suksesshme, përgjegjësia e drejtpërdrejtë për drejtimin e vendit do të binte mbi komandën ushtarake të udhëhequr prej Shteteve të Bashkuara, por shtoi se kjo gjendje nuk do të vazhdonte gjatë.

“Qëllimi ynë, tha Sekretari Powell, do të ishte të kalonim me shpejtësi nga udhëheqja ushtarake në një udhëheqje civile. Ne nuk duam që një gjeneral amerikan të drejtojë një vend mysliman për një kohë çfarëdo. Ne duam kalimin në një udhëheqje civile, fillimisht qoftë një civil amerikan apo një figurë ndërkombëtare, ose ndonjë marrëveshje ndërkombëtare. Dhe pastaj kalimin sa më shpejt nga kjo në një qeveri irakiane që do të përfaqësonte popullin e këtij vendi”.

Zoti Powell tha se përmbysja e regjimit të tanishëm mund të jetë ose fare pa probleme, ose më e komplikuar sikur Sadam Huseini të dëmtonte fushat naftëmbajtëse apo të përdorte taktika të tjera të tokës së djegur.

Megjithatë ai tha në të njëjtën kohë se rimëkëmbja e shoqërisë civile në Irak nuk do të ishte aq e vështirë sa në Afganistanin e varfëruar, duke vënë në dukje se Iraku ka një burokraci të efektshme, një klasë të mesme të zhvilluar, një popullsi të shkolluar dhe 20 miliardë dollarë të ardhura vjetore nga nafta.

Komente të ngjashme bëri edhe Sekretari i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, në takimet që pati në Senat. Ai tha se nuk mund të vlerësonte koston e luftës, por shprehu mendimin se ajo do të ishte më e ulët krahasuar me dëmin që mund të shkaktohej sikur regjimi irakian t’ua kalonte agjentët e tij për luftë kimike e biologjike terroristëve ndërkombëtarë.

Dje para takimeve në Kongres zoti Powell u takua me Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Yasar Yakis, me të cilin bisedoi mbi përdorimin e bazave turke nga ushtria e Shteteve të Bashkuara në rast të një lufte me Irakun, si edhe lidhur me një paketë ndihmash amerikane për Turqinë, si kompensim për ndikimin që një konflikt i mundshëm do të kishte mbi ekonominë e këtij vendi.

Megjithatë, i pyetur nga anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve, Sekretari Powell nuk pranoi të diskutojë lidhur me sasinë e ndihmës që po shqyrtohet për Turqinë. Sa për një kërkesë të ngjashme të bërë nga Izraeli për një ndihmë shumë miliarda dollarëshe, ai tha se administrata i kupton plotësisht nevojat e Izraelit, por nuk ka marrë ndonjë vendim se si do t’i përgjigjet.//ic//

XS
SM
MD
LG