Lidhje

SHBA-të paralajmërojnë kundër zvarritjes pa fund të inspektimeve në Irak - 2003-02-15


Kriza lidhur me çarmatimin e Irakut u kthye të premten në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Inspektorët e armëve të OKB-së dhanë një tablo tjetër të përzier të zbatimit të rezolutave nga Iraku, ndërsa Sekretari i Shtetit, Colin Powell, paralajmëroi kundër zvarritjes pa fund të procesit të inspektimeve.

Në epiqendër të vëmendjes së takimit të Këshillit të Sigurimit ishte raporti i kryeinspektorit të armëve të OKB-së, Hans Blix. Ai ndryshonte pak nga raporti i tij i mëparshëm lidhur me qendrimin irakian, që ai mbajti para Këshillit më 27 janar. Bile raporti i djeshëm ishte më pak kritik ndaj Irakut krahasuar me raportin e mëparshëm.

Zoti Blix tha se Iraku vazhdon të bashkëpunojë përsa i përket procesit të inspektimeve dhe lejimit të inspektorëve për të hyrë pa probleme në pikat për të cilat ata janë të interesuar, në të gjithë vendin. Megjithatë ai tha përsëri se Bagdati nuk po bashkëpunon konkretisht dhe se inspektorët nuk po gjejnë mbështetjen pa kushte që kërkohet në rezolutën e nëntorit të vitit të kaluar për çarmatimin.

Ndër gjetjet specifike zoti Blix tha se dy raketa balistike që janë duke u prodhuar nga Iraku, duket se kanë një rreze veprimi më të madhe nga sa lejojnë rezolutat e OKB-së. Dhe ai shtoi se për shumë armë të ndaluara që dihet se kanë qenë në duart e irakianëve vite më parë, nuk janë dhënë shpjegime.

“Për shembull, vuri në dukje zoti Blix, nga një dokument që na dorëzuan irakianët del se për rreth një mijë tonë agjentë kimikë nuk janë dhënë shpjegime. Unë nuk duhet të nxitohem e të arrijë në përfundimin se ato ekzistojnë. Por sidoqoftë edhe mundësia që ato të ekzistojnë nuk përjashtohet. Në se ekzistojnë ato duhen nxjerrë për t’u shkatërruar. Në se nuk ekzistojnë, për këtë duhen dhënë prova të besueshme”, tha zoti Blix.

Në raportin e tij shoqërues, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Mohammed ElBaradei, tha se asnjë lloj prove nuk është gjetur deri tani lidhur me veprimtari të ndaluara bërthamore në Irak, por shtoi se një numër çështjesh janë duke u shqyrtuar.

Raportet e inspektorëve u pasuan nga interpretime krejt të ndryshme nga ana ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, duke përfshirë edhe Sekretarin amerikan të Shtetit, Colin Powell. Zoti Powell tha se Iraku nuk ka respektuar dhe as do të respektojë kërkesat e OKB-së për çarmatim dhe se po afron me shpejtësi koha kur Këshilli i Sigurimit duhet të shqyrtojë përdorimin e forcës ushtarake për të vënë në jetë vullnetin e vet.

“ Forca duhet të jetë gjithmonë mjeti i fundit. Unë e kam thënë këtë në pjesën më të madhe të jetës sime profesionale si ushtar dhe si diplomat. Por ajo duhet të jetë një mjet. Ne nuk mund të lejojmë që ky proces të zvarritet pa fund, pikërisht ashtu sikurse po përpiqet të bëjë Iraku në këto çaste. Po ta shtyjmë këtë çështje pa fund, bota do të lodhet me ne. Këshilli i Sigurimit do të merret me gjëra të tjera. Ne s’do të bëjmë përsëri asgjë. Miqt e mi, ne nuk mund t’i lejojmë ata të na e hedhin përsëri”, tha Sekretari Powell

Zotin Powell e mbështeti Sekretari i Jashtëm britanik, Jack Straw, i cili tha se vetëm një ndryshim dramatik dhe i menjëhershëm nga ana e Sadam Huseinit, mund t’i sjellë një zgjidhje paqësore çështjes.

“Kjo do të arrihej vetëm sikur ne, anëtarët e Këshillit të Sigurimit, të tregohemi të paepur përballë këtij tirani, t’u japim kuptim fjalëve tona dhe vendimeve që kemi marrë së bashku dhe të përgatitemi për ta bërë të qartë se Iraku do të përballet me pasojat serioze, të cilat ne vendosëm që do të ndodhnin sikur mospërfillja e Irakut të mos merrte fund”, tha zoti Straw.

Megjithatë ministri i Jashtëm francez, Dominik dë Vilëpën, tha në një fjalim që u prit me duartrokitje nga spektatorët që mbushnin galerinë, se përdorimi i forcës nuk justifikohet në këto çaste. Ai kërkoi që inspektorëve t’u jepet më shumë kohë dhe që të zhvillohet një tjetër takim në nivel ministrash më 14 mars.

“Alternativa e inspektimeve nuk është çuar deri në fund, tha ministri i Jashtëm francez me ndihmën e një përkthyesi. Ajo mund të japë një përgjigje të efektshme lidhur me rezolutat për çarmatimin e Irakut. Së dyti përdorimi i forcës do të ishte aq i mbushur me rreziqe për popullin, për rajonin dhe për stabilitetin ndërkombëtar, saqë duhej marrë në shqyrtim si një mjet i fundit”, tha ministri francez

Thirrja për vazhdimin e inspektimeve dhe për një zgjidhje politike të çështjes u mbështet nga Ministri i Jashtëm i Rusisë, Igor Ivanov dhe nga ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Joschka Fischer, qeveria e të cilit kundërshton përdorimin e forcës nën çfarëdo lloj rrethanash.

Para se të largohej nga Nju Jorku, zoti Powell tha se do të konsultohej me presidentin Bush dhe se do të vazhdonte këshillimet me anëtarët e Këshillit të Sigurimit mbi hapat e tjerë lidhur me krizën, duke përfshirë edhe mundësinë e një rezolute të re të Këshillit, e cila do të shërbente si një ultimatum, që Iraku ose do të zbatonte plotësisht kërkesat e OKB-së ose do të përballej me operacione ushtarake.

Por Sekretari Powell përsëriti gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të udhëhequr një koalicion për çarmatimin e Irakut, jashtë suazës së Kombeve të Bashkuara, po të ishte nevoja. Dhe duke iu përgjigjur një pyetjeje, ai tha se vendimet fatale do të merren brenda disa javësh. //kk//

XS
SM
MD
LG