Lidhje

Iraku rrezik për mbarë botën - 2003-02-17


Sipas kushteve të armëpushimit që i dha fund Luftës së Gjirit Persik në vitin 1991, Iraku duhej të hiqte dorë nga të gjitha armët e shkatërrimit në masë dhe t’u jepte fund të gjitha programeve për prodhimin e këtyre armëve. Në nëntor, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi njëzëri rezulutën 14-41, që i jepte Irakut edhe një shans të fundit për t’u çarmatosur paqësisht, ose përndryshe do të përballej me pasoja të rënda.

Më 5 shkurt, Sekretari i Shtetit Colin Powell tha para Këshillit të Sigurimit të OKB-së se Iraku nuk i ka deklaruar ato armë. Siç tha Presidenti Bush, “Shkeljet e rezolutave të Këshillit të Sigurimit nga ana e regjimit të Irakut janë të dukshme, ato janë të dëmshme për Amerikën dhe për botën dhe vazhdojnë edhe në këto momente”.

Saddam Husseini nuk ka deklaruar një arsenal të gjerë armësh vdekjeprurëse biologjike dhe kimike. Në fakt, regjimi i tij po punon për t’i fshehur materialet për armët dhe për të fshehur, apo kërcënuar shkencëtarë irakianë me peshë. Njëkohësisht, Saddami është përpjekur fshehtas të shtjerë në dorë paisje për prodhimin e armëve kimike, biologjike dhe bërthamore. Iraku ka të paktën shtatë fabrika të lëvizshme për prodhimin e agjentëve biologjikë. Ato janë kamionë me paisje për t’i shpëtuar zbulimit.

Një nga rreziqet më të mëdha është se armët irakiane të shkatërrimit në masë mund t’u jepen terroristëve, që nuk do të hezitonin t’i përdornin ato. Persona me peshë në zbulimin irakian dhe anëtarë të al-Kaidas janë takuar të paktën tetë herë që nga fillimi i viteve 1990. Iraku ka dërguar eskpertë për prodhimin e bombave dhe për falsifikimin e dokumentave për të punuar me al-Kaidën. Iraku ka ndihmuar al-Kaidën me stërvitje për armë kimike dhe biologjike. “Saddam Husseini, tha Presidenti Bush, ka lidhje të hershme, të drejpërdrejta dhe të vazhdueshme me rrjetet terroriste”.

12 vjet pasi Saddam Husseini ra për herë të parë dakord të çarmatoset dhe mbi 90 ditë pasi Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën 14-41, bota e qytetëruar përballet me një vendim serioz. Siç tha Presidenti Bush “Saddam Husseini ishte i detyruar që të deklaronte të gjitha programet e armëve. Ai nuk e ka bërë këtë. Saddam Husseini duhej të bashkëpunonte plotësisht për çarmatimin e regjimit të tij. Ai nuk e ka bërë këtë. Saddam Husseinit iu dha një shans i fundit. Ai po e flak tutje këtë shans”.

Shtetet e Bashkuara do të mbështesnin një rezolutë të re, ku të bëhet e qartë se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara i mbështet kërkesat e tij të mëparshme. Megjithatë, siç tha Presidenti Bush, rezolutat e Kombeve të Bashkuara “nuk kanë shumë kuptim nëse nuk ekziston vendosmëria. Shtetet e Bashkuara, bashkë me një koalicion vendesh që po rritet gjithnjë e më shumë, do të ndërmarrin çfarëdo veprimi të nevojshëm për t’u mbrojtur dhe për të çarmatosur regjimin e Irakut”.

//rd//

XS
SM
MD
LG