Lidhje

del Ponte:  Fatmir Limaj do të transferohet në Hagë - 2003-02-19


Gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë bëri të ditur se është arrestuar një ish kryengritës shqiptar, i dyshuar për krime lufte në Kosovë.

Nga katër shqiptarët e akuzuar për krime lufte, Fatmir Limaj mbante postin më të lartë në ish Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Një zëdhënëse e gjykatës së Hagës për krime lufte tha se policia sllovene e ndaloi zotin Limaj, një komandant i ish UÇK-së, dje, në afërsi të kufijve me Austrinë dhe Italinë. Ajo hodhi poshtë njoftimet e mëparshme se zoti Limaj ishte dorëzuar.

Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, tha sot se mendon që zoti Limaj është i pafajshëm. Ai tha gjithashtu se qeveria e tij do të bashkëpunojë plotësisht me gjykatën për krime lufte. Tre të dyshuarit e tjerë shqiptarë u arrestuan të hënën në Kosovë.

Kryeprokurorja e gjykatës së Hagës, Carla del Ponte, tha se Haradin Bala, Isak Musliu dhe Agim Murtezi janë transferuar në qendrën e gjykatës në Hollandë. Zyrtarë të gjykatës thanë se zoti Limaj do të dërgohet në Hagë brendsa disa ditësh.

Zonja del Ponte kritikoi paqeruejtësit e Natos, të cilët e lejuan zotin Limaj të largohej të premten nga Kosova, megjithëse atyre u ishte dorëzuar një kopje e padisë së ngritur ndaj tij nën akuzat për krime lufte.

Në një deklaratë të gjykatës së Hagës thuhet se katër shqiptarët janë akuzuar për burgosjen dhe vrasjen e banorëve serbë e shqiptarë të Kosovës, që nuk bashkëpunonin me luftëtarët shqiptarë. Akuzat rrjedhin nga roli i tyre në një kamp të burgosurish në afërsi të Glogovcit, që drejtohej nga ish Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Zyrtarë të Kosovës thanë sot se janë të gatshëm të japin garanci që procesi ndaj Fatmir Limajt do të zhvillohej në Kosovë. Këto komente u bënë një ditë pas arrestimit të deputetit të parlamentit të Kosovës dhe ish eprorit të lartë të ish UÇK-së. //xh//

XS
SM
MD
LG