Lidhje

Hasani: Arrestimet e fundit në Kosove mund të komplikojnë procesin politik në vend - 2003-02-19


Arrestimet e fundit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së kane ngjallur reagime të ndryshme në Kosovë. Zëri i Amerikës intervistoi për këtë çështje Enver Hasanin, profesor i së drejtës ndërkombëtarë në Universitetin e Prishtinës.

LK: Zoti Hasani, në reagimet e para nga Kosova, ka patur zëra kritike ndaj Gjykates se Hages, disa janë shprehur se me arrestimin e zotit Limaj po vihet shenja e barazisë mes krimeve të kryera nga serbët dhe shqiptarëve. A keni ju besim tek drejtësia ndërkombëtare, tek Gjykata e Hages?

EH: Më lejoni t’ju them se në planin e përgjithshëm Gjykata e Hagës është formuar nga Këshilli i Sigurimit, i cili është një organ politik me qëllim gjykimin e atyre personave që kanë shkelur të drejtën ndërkombëtare humanitare, pra ajo është krijuar qëllimisht për krimet që kanë kryer serbët, e madje spastrimi etnik ka qenë emërtimi i parë që është bërë nga grupi i ekspertëve para se të miratohej rezoluta 808 dhe 827, në përputhje me të cilat është bërë themelimi i kësaj gjykate. Kjo gjykatë, mes të tjerash, është thënë se do të jetë pjesë e kapitullit politik, sipas kapitullit të shtatë, për të ndihmuar paqen dhe sigurinë në rajon dhe pajtimin e popujve të ish-Jugosllavisë. Nga kjo del se Gjykata, ka natyrën e një organi politik dhe kjo është një pjesë e pakontentueshme. E kontestueshme është puna e saj dhe askush këtu në Kosovë nuk e ka vënë në dyshim legjitimitetin, përkatësisht zbatimin e ligjit ndërkombëtar në mënyrë profesionale, në parim, dhe nuk besoj që duhet të kuptohen kështu reagimet këtu në Kosovë. Reagimet më shumë kanë të bëjnë me procedurën, mënyrën se si dëshirohet të arrihet drejtësia, për pajtimin e popujve dhe stabilitetin e paqes dhe sigurisë në rajon.

LK: Në ndryshim nga zërat që janë dëgjuar në opinion, përfaqësuesit kryesorë shqiptarë në institucionet e Kosovës kanë shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar me Gjykatën e Hagës. Sa të sinqerta mendoni se janë pohimet e tyre ?

EH: Unë mendoj se ato duhet të kuptohen më shumë si deklarata politike, unë besoj që janë të sinqerta dhe nuk duhet të kuptohen si deklaratat e kolegëve të tyre, të cilat i japin nga vendet fqinje, me të cilat deri dje kemi kemi jetuar bashkë në një shtet, sepse këtu në Kosovë duhet ta dinë të gjithë, sipas rezolutës 12-44, çështjet e sigurisë, nuk bien nën kompetencën e asnjë prej liderëve lokalë, pavarësisht nga fakti që në deklaratat e tyre lihet përshtypja sikur ata janë nën kontroll të ndonjë ushtrie, apo të ndonjë policie. Prandaj, deklaratat e tyre më shumë duhet të kuptohen si deklarata dhe kalkulime politike, të cilat bëhen për përfitime momentale politike dhe jo si deklarata që reflektojnë realisht gjendjen dhe zotimin që ata mund të marrin dhe çka do të zbatojnë në të ardhmen.

LK: Edhe një pyetje e fundit, Zoti Hasani a pritet të kete ndonje ndikim arrestimi i zyrtarit te larte te Partise Demokratike në marrëdhëniet e politikanëve shqiptarë me komunitetin ndërkombëtar?

EH: Jam shumë i sigurt se në të ardhmen, për shkak të arrestimeve, mund të pritet komplikimi i procesit politik, do të thotë, këto arrestime ka gjasë shumë reale që ta venë në defazim procesin politik në Kosovë dhe rrjedhimisht ta degjenerojnë atë, duke patur parasysh qëndrimin e shumicës së qytetarëve. Më lejoni t’ju them, se edhe përsa i përket përmbajtjes së aktakuzës, vërehet, po flas tani si jurist, në pikën 6, ku flitet për fakte, dhe më pas përsëritet, se viktimat klasifikohen njëlloj, si serbët edhe shqiptarët që kanë refuzuar bashkëpunimin me UÇK-në. Përveç veprës së gjenocidit, sipas së drejtës ndërkombëtare, në asnjë vepër tjetër penale, përfshi edhe këto të cilat akuzohen të katër të akuzuarit, motivi nuk paraqet elemente të veprës penale dhe kjo është me rëndësi të thuhet, prandaj ka qenë tërësisht politik, sipas mendimit tim, dallimi mes serbëve dhe shqiptarëve, i viktimave. Dhe mendoj se kjo është shumë sinjifikative dhe çdo ekspertizë mendoj do të jepte të njëjtin mendim.

XS
SM
MD
LG