Lidhje

Takimi i parë zyrtar ndërmjet kryeministrit maqedonas dhe kryetarit të Partisë së Integrimit  Demokratik - 2003-02-20


Takimi i parë zyrtar midis zotërinjve Ahmeti dhe Cërvenkovski u shënua nga aparatet e fotoreporterëve dhe kamerat e televizionit.

Siç e kishte paralajmëruar më parë zëdhënësi i qeverisë, ”shtrëngimi i duarve” të ish-udhëheqësit të kryengritjes shqiptare dhe kryeministrit aktual maqedonas u bë publik. Udhëheqësit e dy partive partnere në qeverinë e vendit biseduan mbi proceset e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, për rezultatet pas 100 ditëve të qeverisjes, për frenimin e korrupsionit e të krimit të organizuar.

Bashkëbiseduesit ishin marrë vesh paraprakisht që të mos bënin komente për shtypin. Megjithatë, në një komunikatë të përbashkët thuhet se është biseduar edhe për situatën politike, të sigurisë dhe atë ekonomike. Në takim, gjithashtu, u shpreh vullnet i fortë për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

Një ndër çështjet me përparësi për qeverinë mbetet paqja dhe stabiliteti në të gjithë vendin, kthimi i personave të shpërngulur dhe forcimi i mirëbesimit të ndërsjellë tek komunitetet. Zotërinjtë Cërvenkovski dhe Ahmeti, thuhet më tej në komunikatë, theksuan angazhimin e tyre të madh dhe të përbashkët për anëtarësim të Maqedonisë në Nato e në Bashkimin Evropian.

Lidhur me takimin, nuk ka pasur ende reagime nga faktorët tjerë politikë, por mendohet se zoti Cërvenkovski ka bërë një hap të madh para duke patur parasysh qendrimin e një pjese të konsiderueshme të popullatës maqedonase ndaj zotit Ahmeti dhe partisë së tij. Ambasadori i Natos në Shkup, Nicolas Biegman, e komentoi takimin si diçka normale.

Ndërkohë, në Shkup mbërriti President i Komisionit Evropian, Romano Prodi, me qëllim thellimin e bashkëpunimit midis BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor për afrimin e tyre me strukturat e organizatës. Autoritetet maqedonase vizitën e parë të zotit Prodi e shikojnë si një sinjal të fortë politik për hapjen e perspektivave për vendet e rajonit. //az//

XS
SM
MD
LG