Lidhje

Ramsfeld: Forcat amerikane të gatshme për veprim kundër Irakut - 2003-02-20


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Ramsfeld, thotë se forcat amerikane janë të gatshme për veprim kundër Irakut, nëse presidenti Bush jep urdhër për ndërmarrjen e një sulmi.

Sekretari Ramsfeld tha të enjten se ai do ta karakterizonte forcën amerikane si të mjaftueshme dhe se edhe një numër vendesh të tjera kanë dërguar trupa dhe mjete në rajonin e Gjirit Persik.

Ai nuk pranoi të bënte të ditur numrin e saktë të trupave në rajon. Mirëpo, sipas disa njoftimeve, të paktën 150 mijë trupa amerikane dhe britanike janë dislokuar atje për veprim të mundshëm ushtarak kundër Irakut.

Për sa u përket aspekteve humanitare, zoti Ramsfeld tha se agjencitë qeveritare kanë filluar punën para disa javësh me organizata ndërkombëtare për të siguruar mallra të tillë si ushqime, ujë dhe ndihmë mjekësore për qytetarët në një Irak pas Sadam Huseinit. Ai tha gjithashtu se forcat ushtarake janë të përgatitura të ndihmojnë edhe në përpjekjet humanitare.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Kolin Pauell, tha se Shtetet e Bashkuara po punojnë për një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi Irakun.

Ai nuk dha hollësi, por tha se rezoluta e re është e përshtatshme për shkak se Iraku vazhdon shkeljet ndaj rezolutës së miratuar në nëntor, që i kërkon Irakut të çarmatoset ose të përballet me pasoja serioze. //kk//

XS
SM
MD
LG