Lidhje

Gul: vendimi për kërkesën amerikane do të arrihet brenda disa ditësh - 2003-02-21


Kryeministri i Turqisë, Abdullah Gul, tha se qeveria e tij është afër arritjes së vendimit nëse të lejojë trupat amerikane të përdorin bazat turke në rast të një lufte kundër Irakut.

Zoti Guol u tha gazetarëve në Stamboll se diskutimet vazhdojnë dhe se vendimi do të arrihet brenda disa ditësh.

Zyrtarët amerikanë i kërkojnë Turqisë të marrë një vendim sa më shpejt, në mënyrë që të bëhet i mundur dislokimi i rreth 40 mijë trupave amerikane për të ndërmarrë sulme kundër Irakut nga bazat turke.

Zoti Gul theksoi se Shtetet e Bashkuara i kuptojnë shqetësimet turke dhe Turqia i kupton shqetësimet amerikane.

Mirëpo, ministri i jashtëm turk, Jashar Jakis, tha në një intervistë me rrjetin televiziv CNN se para se të jepet një përgjigje, duhen zgjidhur disa çështje të paketës së bashkëpunimit ushtarak, ekonomik dhe politik. Mirëpo, ai shtoi se është optimist që një marrëveshje do të arrihet.

Të enjten, zyrtarë turq thanë se nuk prisnin që vendimi të merret edhe për disa ditë për shkak se çdo vendim i qeverisë duhet të autorizohet nga parlamenti dhe se ligjvënësit nuk kanë në plan të mblidhen deri javën tjetër.

Sekretari amerikan i Shtetit, Kolin Pauell tha të enjten se shuma maksimale që Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura t’i japin Turqisë është 26 miliard dollarë.

Një zëdhënës i presidentit Bush tha se Shtetet e Bashkuara do të shqyrtojnë alternativa të tjera nëse Turqia nuk lejon dislokimin e forcave të tyre në Turqi.//xh//

XS
SM
MD
LG