Lidhje

Sell: Arrestimet e Hagës i shërbejnë drejtësisë ndërkombëtare - 2003-02-21


Ish-diplomati i Departamentit amerikan të Shtetit Lui Sell u bëri thirje udhëheqësve dhe popullit të Kosovës të kapërcejnë tronditjen politike që ka shoqëruar arrestimet e fundit nga autoritetet e Hagës, dhe të lejojnë zhvillimin normal të procesit të drejtësisë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Sell shprehu besimin e tij në Gjykatën ndërkombëtare për krime lufte dhe në standartet e saj të drejtësisë dhe paanshmërisë, dhe theksoi nevojën për të filluar një dialog ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për diskutimin e statusit përfundimtar të Kosovës:

Zëri i Amerikës: Arrestimi para pak ditësh i deputetët të parlamentit të Kosovës zotit Fatmir Limaj, si dhe arrestime të luftëtarëve të ish-UÇK-së kanë shkaktuar një reagim të fortë në qarqet politike në Kosovë. Si mendoni se do të ndikojnë këto arrestime në gjendjen e përgjithshme politike në Kosovë?

L.Sell: Së pari duhet të them se e kam të vështirë t’i përgjigjem kësaj pyetjeje duke u ndodhur në Washington, kaq larg nga Kosova. Por do t’i bëja thirje shqiptarëve në Kosovë të lejojnë zhvillimin normal të procesit të drejtësisë. Janë bërë një numër arrestimesh. Këta persona do të gëzojnë të drejtën për një proces gjyqësor të drejtë dhe do të kenë mundësinë të provojnë pafajësinë e tyre. Mendoj se qëndrimi më i mirë do të ishte që udhëheqësit dhe populli i Kosovës ta kapërcejnë këtë çështje dhe të përqëndrohen në ndërtimin e demokracisë.

Zëri i Amerikës: Shqiptarët i kanë cilësuar arrestimet e fundit si akte me motive politike që kanë për qëllim të njollosin luftën e tyre për çlirim. Cili është reagimi juaj ndaj këtyre cilësimeve?

L.Sell: Nuk i kam lexuar akt-akuzat, por besoj se janë ngritur mbi prova të mjaftueshme. Gjykata e Hagës ka standarte të larta për grumbullim provash. Por siç e thashë më parë, të arrestuarit do të kenë rastin të paraqesin prova për të vërtetuar pafajësinë e tyre para gjykatës. Mendoj se e vetmja gjë që mund ta njollosë luftën për liri është sjellja e individëve të përfshirë në të. Nëse këta individë kanë kryer në të vërtetë krime lufte, aktet e tyre janë ato që njollosin kujtimin dhe simbolin e luftës për çlirim, jo njerëzit që i arrestuan ata.

Zëri i Amerikës: Ju përfunduat kohët e fundit një raport për Grupin e së Drejtës dhe Politikës Ndërkombëtare të titulluar “Kosova: Ka ardhur koha për të diskutuar statusin e saj përfundimtar.” Përse mendoni i përshtatshëm për të diskutuar statusin përfundimtar dhe si mendoni se do të ndikojë kjo në arritjen e standarteve të përcaktuara nga UNMIK-u?

L.Sell: Ky është një ndër problemet. Kurrë nuk gjendet momenti i duhur për të filluar diçka kaq të vështirë. Por unë mbështes idenë që të fillohet një proces, i cili pas një periudhe të caktuar, 2 apo 3 vjeçare, të çojë në arritjen e një vendimi që të përfshijë vullnetin e popullit. Ky është një moment i vështirë, por çdo periudhë është e vështirë. Procesi duhet të fillojë tani. Procesi i përmbushjes së standarteve do të vazhdojë, pasi këto janë standartet e duhura për Kosovën. Qëndrimi im ndryshon nga ai i autoriteteve ndërkombëtare, pasi unë nuk e shoh përmbushjen e këtyre standarteve si një proces që përjashton procesin për përcaktimin e statusit. Unë mendoj se këto dy objektiva duhet të ndiqen paralelisht. Para se të fillosh një udhëtim duhet të kesh të qartë destinacionin përfundimtar. Mendoj se procesi që çon drejt zgjidhjes së statusit përfundimtar do t’i shërbejë njëkohësisht edhe procesit të pajtimit ndërmjet komuniteteve, si një element i rëndësishëm i respektimit të pakicave dhe njohjes së të drejtës së tyre për të jetuar në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Një ndër standartet e rëndësishme të përcaktuara nga UNMIK-u është kthimi i të shpërngulurve në veçanti pakicat serbe. Si mendoni se do të ndikojë përcaktimi i statusit përfundimtar në kthimin e këtyre të shpërngulurve. A nuk mendoni se kjo mund të ketë një ndikim negativ pasi për to ndoshta përcaktimi i këtij statusi do të shihej si sanksionimi i një shoqërie të pastër etnike e cila nuk i mirëpret ata.

L.Sell: Mendoj se të dyja komunitetet, si serbët ashtu edhe shqiptarët në Kosovë duhet të përpiqen të gjejnë një mirëkuptim lidhur me kushtet në të cilat janë të gatshëm të bashkëjetojnë. Tani po zhvillohet një dialog i shurdhët. Shqiptarët këmbëngulin në kërkesën për pavarësi dhe thonë se pas njohjes së këtij statusi do të respektojnë të drejtat e pakicave. Nga ana tjetër, komuniteti serb thotë se për momentin nuk gëzojnë mbrojtje dhe nuk besojnë se do të gëzojnë mbrojtje pas shpalljes së pavarësisë. Të dyja palët duhet të bëjnë përpjekje më të mëdha për të gjetur gjuhën e përbashkët. Një gjë e tillë, mendoj unë, nuk do të realizohet duke i shtyrë këto çështje në të ardhmen, por duke filluar t’i rrahësh ato në një dialog ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësim ndërkombëtar.

Zëri i Amerikës: Kohët e fundit kryeministri i Serbisë Zoran Xhinxhiq ngriti idenë e hapjes së një dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinë me idenë për zgjidhje të qëndrueshme të statusit përfundimtar të Kosovës. A mendoni se ky është momenti i përshtatshëm për të filluar këtë dialog dhe cilat mendoni janë motivet që e shtynë zotin Xhinxhiq të bënte këto komente?

L.Sell: Nuk e di se çfarë motivesh e shtynë për të bërë këto komente. Nuk dua t’i lexoj mendjen Zoran Xhinxhiqit, por mendoj se ky është një hap pozitiv. Unë jam dakort me të, jam dakort se ka ardhur koha për të filluar procesin drejt zgidhjes së statusit përfundimtar. Këtë e kam theksuar prej kohësh dhe më vjen mirë që edhe dikush tjetër është i një mendjeje me mua. Shqiptarët e Kosovës duhet ta mirëpresin këtë koment dhe të angazhohen në diskutime. Çështja e statusit përfundimtar të Kosovës nuk mund të zgjidhet pa Beogradin. Cilado qoftë forma përfundimtare e të ardhmes së Kosovës, Serbia do të ketë interesa në Kosovë. Këto interesa duhet shqyrtuar përmes dialogut, sa më parë aq më mirë.

//ad//

XS
SM
MD
LG