Lidhje

Edi Rama: i mirëpres hetimet nga prokuroria - 2003-02-21


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama tha të premten se prokuroria bën mirë që kontrollon aktivitetin e tij, por la të kuptohej se nuk ka vjedhur kurrë gjatë punës së tij. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Rama foli për debatet që po zhvillohen dhe tha se është kundër ngritjes së një komisioni parlamentar për të kontrolluar punën e tij.

AX: Veç akuzave që ka ngritur opozita ndaj jush që ju i keni cilësuar si politike, dje Prokuroria njoftoi për disa shkelje që janë bërë në kohën kur ju ishit Ministër i Kulturës. Bëhet fjalë për tri objekte, për shpërdorim fondesh, ose mungesë dokumentacioni. Si iu përgjigjeni ju këtyre akuzave të reja?

ER: Unë mendoj që duhet ta falenderoj që nga matanë oqeanit gazetarin tuaj, sepse mendoj që në raportin e tij thuhej në mënyrë shumë korrekte, ajo çka është thënë edhe nga Prokuroria. Pra Prokuroria ka nënvizuar se po heton mbi këto çështje që nuk prezumojnë fajësinë jo vetëm timen, por as të institucionit dhe nga ana tjetër ka thënë që ka konstatuar mangësi dokumentacioni dhe ka dyshime. Kjo është ajo çka ka thënë Prokuroria dhe që me shumë besnikëri i raportoi edhe zoti Mero të cilin edhe një herë e falenderoj sepse është diçka krejt tjetër nga ajo që është trumbetuar në disa media, jo me dashakeqësi, por me mendjelehtësi, apo nga çka mund të përpiqet përsëri opozita të bëjë. Kështuqë them se është fare normale. Prokuroria është institucioni i dyshimit, nuk është institucioni i besimit. Do të duhet të kontrollojë gjithçka dhe bën shumë mirë ta kontrollojë, bile unë do ta ftoja prokurorinë të kontrollonte edhe për gjithçka tjetër thuhet e rithuhet, sepse mendoj se është shumë shqetësuese dhe shumë domethënëse për vetë prokurorinë që të preokupohet në raport me akuza për lidhjet e mia me krimin ndërkombëtar, me al-Kaidën, me trafiqet dhe rrjetet më të rrezikshme mafioze të Ballkanit për pastrimin e parave, për drogën, për ndërtimet e kështu me rradhë. Pra unë do ta ftoja Prokurorinë të angazhohej edhe në këtë proces, natyrisht duke u munduar të nxjerrë të gjitha përgjegjësitë, qofshin ato që pretendohet se më takojnë mua, qofshin ato që normalisht u takojnë atyre që kanë një fantazi kaq të shthurur. Kjo është pak a shumë tabloja që unë them se është një tablo normale. Dhe do të theksoja që përsëri jam dakord me reporterin, të cilin megjithëse Tirana është vend i vogël, unë nuk e njoh dhe nuk kam patur rastin ta takoj kur thotë se ka një moment disi interesant, kur mendohet se ky njoftim i prokurorisë del pikërisht në një çast që mund të bëhet objekt spekullimi, sikundër dhe u bë dhe vetëm në këtë aspekt më vjen keq pak që është hedhur ky njoftim në këtë moment, kurse nga ana tjetër e përshëndes dhe jam shumë i kënaqur që prokuroria është në veprim dhe ritheksoj se do të të doja që prokuroria të vepronte për gjithçka ka të bëjë me ato që thuhen lidhur me personin tim.

AX: Në lidhje me këto shqetësime që ka ngritur prokuroria sot, sado para kohe t’i ketë nxjerrë ajo për shtypin ju jeni i bindur se gjatë kohës që keni qenë Ministër i Kulturës, për këto objekte nuk ka patur shkelje?

ER: Unë jam i bindur që siç e kam thënë edhe në Tiranë dhe siç kam kënaqësinë dhe rastin ta them edhe nga Uashingtoni nuk ka burrë nëne që të gjejë në xhepat e mi një qindarkë të dikujt tjetër dhe që nuk është e futur në këto xhepa me punën time të ndershme. Për këtë jam i bindur. Për të gjitha të tjerat pastaj u takon të gjitha institucioneve të tjera të bëjnë punën e tyre dhe unë jam i hapur për çdo lloj kontrolli, debati, diskutimi, përgjigjeje dhe kështu me radhë.

AX: Të kthehemi tek debati që po bëhet në parlament për çështjen e bashkisë. Socialistët kanë propozuar kontrollimin e punës në bashkinë e Tiranës nga një firmë e huaj revizionimi. Ju jeni shprehur pro një forme të tillë kontrolli. Por përse nuk pranohet kontrolli nga një komision i parlamentit? Çfarë ndryshimi ka?

ER: Më vjen mirë që ma bëni edhe këtë pyetje dhe më vjen mirë që të gjitha bisedat, lajmet, por edhe thashethemet e Tiranës, vijnë me shpejtësi në Uashington, gjë që tregon se thashethemi shqiptar ka shpejtësinë e internetit dhe mund të quhet edhe pararendës i kësaj teknologjie, sepse dëshiroj të theksoj që propozimin për një kompani ndërkombëtare auditimi, e kam bërë unë vetë disa ditë më parë, kur kam shprehur gjithë gadishmërinë për t’u kontrolluar dhe më ka ardhur shumë mirë që në një instancë tjetër dhe për t’i dhënë mbështetje të plotë një kontrolli, e ka bërë edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Çka e ndryshon? Po unë mendoj se e ndryshon shumë sepse them se një komision hetimor, i përbërë nga persona të cilët kërkojnë mandat për të më linçuar mua publikisht dhe që paragjykojnë krejtësisht çdo lloj kontrolli përderisa thonë se unë jam i implikuar në gjithë ato historira interesante, nuk mundet dot absolutisht të ketë as gjakftohtësinë e nevojshme dhe as besueshmërinë e nevojshme, për të bërë një kontroll profesional. Aq më tepër pastaj kur mendon se këta persona do të jenë mjekë, agronomë, apo njerëz pa shkollë dhe aspak njerëz që bëjnë një kontroll financiar. Nëqoftëse shqetësimi pra është që si janë shpenzuar fondet publike në bashkinë e Tiranës, atëherë një kompani e specializuar mund ta bëjë këtë punë. Natyrisht ka kompani të tjera edhe shqiptare, por unë jam i bindur që tashmë kështu siç erdhi puna dhe kështu si u nxeh loja politike për një arsye fare të thjeshtë siç janë zgjedhjet e tetorit, në të cilat opozita është absolutisht e humbur përsa i takon garës në Tiranë dhe ky është problemi kryesor dhe unë mendoj se gjithë kjo luftë, është shprehje e një dëshpërimi shumë të madh dhe e një përpjekjeje të dëshpëruar për të influencuar atë që nuk mund dot të influencohet, pra pikëpamjen e shumicës së qytetarëve të Tiranës, sepse jam i bindur që nëse opozita do që t’i fitojë këto zgjedhje nuk duhet të ndjekë rrugën e komisionit hetimor, por duhet të pajisë me sopata të gjithë njerëzit që do të duheshin për të prerë të gjitha pemët, duhet të pajisë me vare njerëzit që do të duheshin për të dëmtuar gjithë trotuaret, të gjitha rrugët, duhet të nxisë të gjitha llojet e kafshëve barngrënëse që ta hanë gjithë barin që është mbjellë, në mënyrë që Tirana të kthehet aty ku ishte dhe plus pastaj mundësisht në momentin e fundit t’i frymëzojë të gjithë qyetatarët që t’i marrin të gjitha plehrat dhe për ditë me radhë të mos t’i hedhin nëpër kazanë, por të shkojnë t’i hedhin në mes të Tiranës, aty ku unë i gjeta, në mënyrë që ta kthejnë Tiranën aty ku ishte për të mos lejuar qytetarët që të kenë një gjykim mbi çështjen. Kështuqë është një luftë politike pa dyshim e cila nuk influencon absolutisht mbi pikëpamjen e qytetarëve, por nga ana tjetër mendoj se është edhe një rast shumë i mirë edhe për të provuar diçka tjetër që Bashkia e Tiranës është një institucion fare korrekt, i cili di t’u përgjigjet me dokumenta të gjitha llojeve të kërkesave, apo kontrolleve dhe që kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk ka lidhje me asnjë lidhje me gjithçka thuhet. Kështuqë ka një ndryshim themelor midis kërkesës së opozitës dhe domosdoshmërisë për të bërë transparencë mbi mënyrën sesi janë shpenzuar fondet publike. Kjo është themelore dhe besoj se gjithkush që do ta shikojë e shikon.

AX: Të kthehemi tek marrëdhëniet tuaja me Partinë Socialiste. Në shtypin shqiptar sot, një nga titujt kryesorë të artikujve, ishte “Rama tradhëtohet nga socialistët”. A jeni i shqetësuar se ju mund të bëheni pjesë e luftës, brenda kampit socialist?

ER: Mendoj që edhe kjo është pjesë e pasionalitetit me të cilin përkthehen nga segmente të ndryshme të shtypit ngjarjet: X-i xheloz për Y-in, Zeta tradhëton X-in, X-i puth Zetën, përqafohet Y-ni me E-në...Këto janë historira për një konsum mediatik dhe të cilat natyrisht furnizojnë tregun e medias. Ajo që duhet të thuhet është se këtu ka një lojë shumë të nxehtë dhe shumë spekullative me qytetarët, që nuk i shërben absolutisht interesave të tyre dhe të qytetit të Tiranës. Këtu ka një lojë që nuk bën absolutisht asgjë tjetër, përveçse krijon një mjegull në të cilën ushqehet pastaj e gjithë bota e vogël mediatike shqiptare, për të ripërtypur ushqimin e vet të përditshëm. Ajo që më shqetëson mua realisht është që të bëhet kontrolli deri në fund, por të mos bllokohet puna e bashkisë së Tiranës dhe të mos bllokohet puna për të çuar më tej transformimet e mëdha që kanë ndodhur në qytetin e Tiranës. Prandaj edhe një komision kontrolli profesional, do të ishte plotësisht në favor të transparencës, por nuk do të pengonte vazhdimin e punës. Ndërsa një komision kontrolli punëtor që do të hynte atje siç hyn një ushtri çlirimtare në një pallat të korruptuarish, do të shkaktonte një traumë të madhe për institucionin dhe do të bllokonte punën.

AX: Ndërsa juve jeni personi më i përfolur sot në Shqipëri, ju ndodheni për vizitë këtu në Shtetet e Bashkuara. Cili është qëllimi i kësaj vizite?

ER: Unë besoj se përfolshmëria në Shqipëri, nuk është gjithmonë një tregues i keq, bile përgjithësisht është një tregues i mirë, se nuk është një përfolshmëri në Shqipëri, por brenda një teatri të vogël që është teatri i politikës shqiptare dhe një rrethi gjithsesi të kufizuar që është rrethi i konsumatorëve të lajmit dhe i përtypësve të sensacioneve. Përsa i takon vizitës sime, unë kam ardhur këtu me ftesë të Universitetit të Bostonit dhe atij të Harvardit për të mbajtur dy leksione, pikërisht për transformimet që kanë ndodhur në Tiranë, për suksesin e qeverisjes lokale të Tiranës, për mënyrën se si ne i kemi bërë këto transformime me një buxhet shumë të vogël dhe sot në Washington pata disa takime, një takim me zëvendësadministratorin e përgjithshëm të USAID-it dhe me Drejtoreshën për Evropën, ku folëm për mënyrën e implementimit të ndihmës amerikane për Tiranën, nëpërmjet USAID-it dhe natyrisht më dha një kënaqësi të veçantë fakti që gjithçka që ka ndodhur në Tiranë, nën vështrimin e partnerëve tanë dhe krijon një përshtypje jashtëzakonisht të mirë. Pastaj një takim në fondacionin e Kombeve të Bashkuara për një projekt për gjelbërimin e Tiranës dha pastaj pasi të dal që këtu një takim në Departamentin e Shtetit dhe më vonë në Këshillin Kombëtar të Sigurimit.//kk//

XS
SM
MD
LG