Lidhje

Pauell: Washingtoni do të vendoste një administratë ushtarake në Irak - 2003-02-21


Sekretari amerikan i Shtetit, Kolin Pauell, tha se Shtetet e Bashkuara kanë në plan të vendosin një administratë ushtarake në Irak, nëse Sadam Huseini përmbyset nga pushteti.

Në një intervistë me rrjetin televiziv Al-Arabija, Sekretari Pauell vërtetoi njoftimet se Shtetet e Bashkuara kanë në plan të vendosin një administratë ushtarake në Irak, pas një lufte të mundshme.

Ai tha se roli i komandantit ushtarak do të ishte të garantojë sigurinë e vendit pas veprimeve ushtarake, të mbrojë popullit irakian dhe të mbikëqyrë shpërndarjen e ndihmës humanitare. Mirëpo, ai theksoi se pushteti do t’i kalohej një udhëheqjeje të re civile irakiane sa më shpejt që të ishte e mundur.

Ai hodhi poshtë kritikat se Shtetet e Bashkuara kërkojnë ta pushtojnë Irakun, duke vënë në dukje se Amerika nuk ka pushtuar Kuvajtin dhe as Afganistanin pas veprimeve ushtarake në këto vende.

Zoti Pauell tha se një fushatë ushtarake kundër Irakut dhe përmbysja e Sadam Huseinit nga pushteti do të kishin pasoja pozitive për popullin irakian.

Të enjten, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, tha se forcat amerikane janë të gatshme për veprim kundër Irakut, nëse presidenti Bush jep urdhër për ndërhyrje ushtarake. Sekretari Rumsfeld theksoi se forcat amerikane në rajon janë të mjaftueshme për luftë dhe ai shtoi se edhe një numër vendesh të tjera kanë dërguar trupa dhe mjete në rajonin e Gjirit Persik.//xh//

XS
SM
MD
LG