Lidhje

Presidenti Bush konfirmon se SHBA do të paraqesin një rezolutë të re në OKB - 2003-02-22


Presidenti Bush konfirmoi se Shtetet e Bashkuara do të paraqesin një rezolutë të re në Kombet e Bashkura javën e ardhshme, duke deklaruar qartë dhe thjeshtë se Iraku nuk po zbaton kërkesat e OKB-së për tu çarmatosur.

Presidenti Bush e bëri këtë njoftim sot në fermën e tij në Crawford të Teksasit, ku ai priti kryeministrin e Spanjës, Jose Maria Aznar. Zoti Aznar është një mbështetës i fuqishëm i Washingtonit në çështjen e Irakut, por ka kërkuar që një rezolutë e dytë ti paraqitet Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shkak të kundërshtimit të fortë të luftës në Spanjë.

Presidenti Bush tha se rezoluta e re do të jetë shansi i fundit i Kombeve të Bashkuara për të treguar se janë serioze rreth çarmatimit të Irakut. Ai shtoi se e gjithë bota do të presë të shikojë në se Këshilli i Sigurimit i përmbahet fjalëve të veta.

Ndërkaq, sot në Teheran, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike, Mohamed El-Baradei thotë se autoritetet irakiane ende nuk po bashkëpunojnë plotësisht me inspektorët e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht në përpjekjet për të intervistuar shkencëtarët irakianë.

Kryeinspektori i Kombeve të Bashkuara për armët Hans Blix i ka dhënë afat Irakut deri të shtunën e ardhshme për të filluar shkatërrimin e stoqeve të raketave të ndaluara al-Samoud 2. Këto raketa kanë një rreze që e kapërcen kufirin prej 150 kilometrash që lejohet nga Kombet e Bashkuara.

//ze//

XS
SM
MD
LG