Lidhje

Kuba shtyp përpjekjet për referendum kombëtar - 2003-02-25


Në Kubë po merren masa shtypëse kundër përkrahësve të Projektit Varela. Ditët e fundit, dhjetra kubanë janë keqtrajtuar, burgosur dhe pushuar nga puna ose nga universitetet. Krimi i tyre vetëm është se ata përkrahin një referendum kombëtar për çështjen në se duhet të kenë apo jo kubanët liri themelore politike dhe ekonomike.

Organizatorët e Projektit Varela u përpoqën të shfrytëzojnë një dispozitë të kushtetutës kubane të vitit 1976, e cila lejon mbajtjen e një referendumi në se grumbullohen 10 mijë firma. Megjithë ndërhyrjet, Projekti Varela grumbulloi mbi 11 mijë firma dhe i paraqiti ato në asamblenë kombëtare të Kubës, që është parlamenti sa për formë i vendit. Por qeveria komuniste e Fidel Castros refuzoi të përgjigjet.

Më 18 shkurt një gjykatë qarku dënoi dy punonjës të Projektit Varela me 18 muaj burg nën akuzat për mosrespektim të autoriteteve. Jesus Mustafa Felipe dhe Robert Montero janë anëtarë të Lëvizjes së Krishtere për Liri. Themeluesi i këtij grupi është Oswaldo Paya, një nga organizatorët kryesorë të Projektit Varela.

Jesus Mustafa dhe Robert Montero janë sulmuar shpesh sepse kanë mbajtur publikisht pankarta në favor të të drejtave të njeriut. Jesus Mustafa kishte qënë më parë objekt i keqtrajtimeve të ndërmara nga qeveria më 11 janar. Dy qind njerëz shkuan me kamionë për të rrethuar shtëpinë e tij dhe hodhën mbi të bojra dhe mbeturina.

Në të njëjtën ditë që gjykoheshin Felipe dhe Montero, të paktën 19 anëtarë të organizatës Varela u burgosën, përfshi disa nga ata që u përpoqën të merrnin pjesë në gjyq. Siç tha ndihmës nënsekretari amerikan i shtetit Dan Fisk, “arrestimet nga qeveria kubane të dy individëve që punonin për Projektin Varela dhe keqtrajtimi i vazhdueshëm i dhjetra të tjerëve pasqyrojnë frikën e qeverisë nga ky projekt. Reagimi i qeverisë ndaj thirrjes për reforma të nënshkruar nga mijëra qytetarë kubane është shenjë e shtypjes në rritje”, thotë zoti Fisk.

Megjithë shtypjen e madhe, përpjekjet për liri në Kubë po drejtohen nga njerëz të guximshëm si Mustafa dhe Montero. Shtetet e Bashkuara janë të vendosura t’u japin atyre shpresë në përpjekjet kundër sistemit totalitar të Castros. Siç tha presidenti Bush “qëllimi i politikës amerikane ndaj Kubës është liria për popullin kuban. Normalizimi i plotë i marrëdhënieve me Kubën do të bëhet i mundur kur Kuba të ketë një qeveri të re tërësisht demokratike; kur të respektohet shteti juridik dhe kur të drejtat e njeriut të të gjithë kubanëve të jenë të garantuara.

//rd//

XS
SM
MD
LG