Lidhje

Kalendari Historik 25 shkurt - 2003-02-25


Më 25 shkurt 1964, Kassius Klei tronditi botën e boksit me fitoren ndaj kampionit Soni Liston. Klei,i njohur për shpejtësinë në ring dhe grushtat e njëpasnjëshëm thoshte se në ring lëvizte si flutur dhe pickonte si bleta. Ekspertët e boksit kishin parashikuar që boksieri i ri Klei do të binte viktimë e grushtave të rëndë të Listonit, deri atëherë kampion bote per peshën e rëndë. Por për 6 raunde me radhë, Klei 22 vjeçar u mbrojt mirë, duke iu shmangur goditjeve të kundërshtarit. Listoni, u lodh dhe kur filloi raundi i shtatë, ai nuk u ngrit për të vazhduar ndeshjen. Kjo fitore e bëri Kassius Klein kampion botëror të boksit në peshën e rëndë. Menjëherë pas titullit, Klei shpalli se kishte ndërruar fenë dhe ishte bërë mysliman, duke marrë emrin Muhamed Ali.

Më 25 shkurt 1836, Samuel Kolt regjistroi shpikjen e tij, revolverin me pesë fishekë. Parimi i funksionimit të pistoletës Kolt nuk ishte i ri, por ai ishte më praktik se të gjithë revolverët e deri atëhershëm. Ushtria dhe marina amerikane e përfshiu revolverin Colt në arsenalin e armëve të saj standarte, çka ndikoi që kjo armë të përdorej edhe nga njësitë e tjera të ushtrisë. Uzina e armëve Kolt në Paterson të shtetit Nju Xhersi prodhoi mijëra pistoleta të tilla deri në vitin 1841, kur doli varianti i dytë Uollter Kolt, pistoletë më e madhe me fishekë të kalibrit 0 presje 45 milimetra. Pistoleta e re Uollter Kolt me peshë rreth 1 kilogram dhe grykën e gjatë 23 centimetra, thuhej se i ngjante një topi artilerie.// lk //

XS
SM
MD
LG