Lidhje

Kalendari Historik 26 shkurt - 2003-02-25


Më 26 shkurt 1919, Kongresi vendosi që formacioni natyror Kanionet e Mëdha të bëhej park kombëtar. Kjo grykë natyrore mjaft e thellë dhe e gjatë në shkretëtirën Kaibab në veriperëndim të shtetit Arizona, ishte krijuar nga gerryerjet e rrjedhës së lumit Kolorado gjatë një periudhe prej 10 milionë vjetësh. Kanioni është i thellë rreth 1 mijë e 700 metra dhe në të dy faqet e tij mund të shihen shtresa shumëngjyrëshe shkëmbore. Kanioni gjigand është i gjërë nga 7 deri në 29 kilometra dhe i gjatë, rreth 350 kilometra. Kompozitori amerikan Ferd Grouf e cilësoi Kanionin si një melodi të ngurtësuar dhe u përpoq ta përshkruante këtë ndjenjë në kompozimin e tij Grend Kenion Suit. Por ata që e kanë vizituar këtë park kombëtar thonë se bukuria e kësaj panorame, veçanërisht në mëngjes kur lind dielli, është vështirë të përshkruhet qoftë me muzikë, fotografi apo fjalë.

Para 10 vjetësh, më 26 shkurt 1993, një kamion bombë shpërtheu në vend-parkimin e nëndheshëm të qëndrës botërore të tregtisë në Nju Jork. Kjo qëndër përbëhej nga dy ndërtesa 110 katëshe, të cilat ishin më të lartat në Nju Jork, para se të rrëzoheshin nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, ku humbën jetën rreth 3 mijë njerëz. Shpërthimi i 26 shkurtit shkaktoi rrëzimin e disa mureve të brendëshme, por nuk i dëmtoi themelet kryesore të ndërtesave. Si pasojë, 6 vetë u vranë dhe disa qindra të tjerë u plagosën. Pas sulmit, autoritetet evakuuan rreth 50 mijë njerëz. Autoritetet e Nju Jorkut dhe të Byrosë Federale të Hetimeve filluan menjëherë nga puna për gjetjen e autorëve të shpërthimit. Më vonë, u bë e qartë, se ashtu si edhe në ngjarjet e 11 shtatorit, shpërthimi i 26 shkurtit 1993 në Qëndrën Botërore të Tregtisë ishte pjesë e një komploti nga një grup terroristësh fondamentalistë islamikë.// lk //

XS
SM
MD
LG