Lidhje

Blix: Bagdadi u ka dhënë dokumenta të reja inspektorëve të armëve - 2003-02-26


Kryeinspektori i armëve të OKBs për Irakun, Hans Blix, thotë se Bagdadi ka dhënë dokumenta të reja, veprim që ai e cilëson si një shenjë të re të një bashkëpunimi më të ngushtë të Irakut me procesin e çarmatimit. Por ky fakt u prit me skepticizëm nga ana e presidentit Bush, vetëm një ditë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Britania deklaruan se Iraku nuk po çarmatoset dhe se ky vend kishte humbur shansin e fundit për ta bërë një gjë të tillë në mënyrë paqësore.

Hans Blix u tha gazetarëve se Iraku u ka dorëzuar inspektorëve të armëve një seri letrash të cilat mund të hedhin dritë mbi disa prej programeve kimike dhe biologjike të Bagdadit. Bagdadi duhej t’i kishte shkatërruar armët e tij biologjike dhe kimike 12 vjet më parë, në përfundim të luftës në Gjirin Persik, por mbas 3 muaj kërkimesh inspektorët ende nuk po gjejnë prova të shkatërrimit për shumë prej këtyre armëve të ndaluara. Zoti Blix tha se infromatat e reja do të ndihmojnë në këtë drejtim.

“Në një letër na tregohet se kanë gjetur një bombë R-400, e mbushur me një lëng, në një rajon për të cilin ne kishim dijeni se aty asgjësoheshin armë biologjike. Në një letër tjetër tregohet se janë gjetur dokumenta të shkruara me dorë në lidhje me asgjësimin në vitin 1991 të elementëve të ndaluar.”

Disa prej këtyre dokumentave të sapo marra, përmbajnë sipas zotit Blix elementë pozitivë të cilat duhen shqyrtuar më tej. Por se çfarë janë këto elementë me saktësi, mund të mësohet të shtunën, kur inspektorët e armëve priten të dorëzojnë raportin tjetër para Këshillit të Sigurimit të OKBs.

Ende nuk dihet me saktësi nëse administratës së presidentit Bush i është raportuar përmbajtja e këtyre elementëve të rinj. Por presidenti u tha gazetarëve se ai nuk ka parë asgjë që të tregojë se udhëheqësi irakian, Sadam Husein, ka vendosur të ndryshojë kursin e veprimit.

“Mendoj se ai do të përpiqet ta mashtrojë botën edhe një herë. Dihet që ai e ka bërë këtë për 12 vjet.”

Deri tani, inspektorët e armëve kanë thënë se Iraku në përgjithësi ka bashkëpunuar gjatë këtij procesi, por ky bashkëpunim ka qenë më i paktë mbi çështjet thelbësore të çarmatimit.

Iraku nuk pranon se ka ende armë të ndaluara të shkatërrimit në masë. Në një intervistë dhënë rrjetit televiziv amerikan, CBS, Sadam Husein gjithashtu hodhi poshtë një pretendim të inspektorëve të armëve se raketat irakiane, al-Samoud-2 me rreze të shkurtër veprimi, mund të fluturojnë mbi kufirin prej 150 kilometrash të vendosur nga Kombet e Bashkuara. Hanx Blix i ka dhënë afat Bagdadit deri në fund të javës që të fillojë shkatërrimin e këtyre raketave.

Por në intervistën e tij udhëheqësi irakian la të kuptojë se ai mund ta hedhë poshtë këtë kërkesë. Ky veprim mund të përforcojë pozitën e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë në Kombet e Bashkuara. Të dyja këto vende, së bashku me Spanjën, janë shprehur se Bagadadi e humbi shansin e tij të fundit për t’u çarmatosur dhe ato i kanë bërë thirrje Këshillit të Sigurimit që të miratojë një rezolutë të re që t’i hapë rrugë ndërhyrjes ushtarake në Irak.

//ze//

XS
SM
MD
LG