Lidhje

Bliks:Iraku nuk ka marrë ndonjë vendim konkret për t’u çarmatosur - 2003-02-26


Kryeinspektori i OKB-së për armët, Hans Bliks, tha se Iraku ende nuk ka filluar të bashkëpunojë plotësisht me inspektorët. Zoti Bliks e bëri këtë koment tri ditë para se të raportojë në Këshillin e Sigurimit mbi bashkëpunimin irakian.

Zoti Bliks u tha të merkurën gazetarëve në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork se mendon që Iraku po bën përpjekje më të mëdha për të sqaruar çështjet rreth programeve të armëve. Mirëpo, ai thekson se nuk ka të dhëna se Iraku ka marrë ndonjë vendim konkret për t’u çarmatosur.

Në fillim të javës, Iraku u dha inspektorëve disa letra, në të cilat flitet për gjetjen e dokumenteve lidhur me shkatërrimin e armëve biologjike e kimike irakiane në vitin 1991. Zoti Bliks i cilësoi letrat si zhvillim interesant dhe tha se kjo çështje kërkon shqyrtim të mëtejshëm.

Presidenti Bush ka thënë në mënyrë të përsëritur se Iraku duhet të çarmatoset plotësisht nga armët e ndaluara ose për ndryshe do të përballet me ndërhyrje ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për ta çarmatosur atë.

Shtëpia e Bardhë njofton se presidenti do të mbajë të merkurën në Washington një fjalim të gjithanëshëm mbi Irakin. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ari Fleischer, tha se në këtë fjalim do të përvijohet parashikimi i presidentit Bush për Irakun dhe paqen në Lindjen e Mesme, në rast se Shtetet e Bashkuara arrijnë në përfundimin se lufta është e domosdoshme.

Presidenti Bush e mban këtë fjalim ndërkohë që anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së po shqyrtojnë një projektrezolutë të re, e cila mund të hapë rrugën për veprime ushtarake. Në projektrezolutën e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, thuhet se Bagdadi ka shkelur rezolutën 14-41 të OKB-së, e cila paralajmëron Irakun për pasoja serioze nëse nuk vepron në përputhje me kërkesat e Kombeve të Bashkuara për çarmatim.

Franca, Rusia dhe Gjermani knë paraqitur një propozim, në të cilin bëhet thirrje për vazhdimin e inspektimeve të armëve në Irak. Presidenti francez, Zhak Shirak, i cili kundërshton veprimin ushtarak, tha përsëri sot në Paris se nuk sheh nevojën e një rezolute të re të OKB-së.//xh//

XS
SM
MD
LG