Lidhje

Intervistë me VOA: Këshilltarja Rice thotë se plani francez shmang çarmatimin e vërtetë të Irakut - 2003-02-26


Shtëpia e Bardhë thotë se një plan i Francës për të zgjatur inspektimet e Kombeve të Bashkuara për armë në Irak vetëm do të ndihmonte Sadam Huseinin të shmangte çarmatimin e vërtetë.

Këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë për çështjet e sigurimit kombëtar, Condozeezza Rice thotë se plani i propozuar nga Franca, Gjermania dhe Rusia për të vazhduar inspektimet e armëve do ta ndihmonte udhëheqësin irakian të përçante edhe më shumë Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe të fshihte armët e ndaluara.

“Ideja për zgjatjen e inspektimeve në këtë moment vetëm se ndihmon Sadam Huseinin.”

Në një intervistë me Zërin e Amerikës, zonja Rice tha se ajo nuk vë në diskutim motivet e këtyre vendeve për të mbështetur vazhdimin e inspektiemeve, por ajo shprehu besimin se plani i tyre do të ndihmonte udhëheqësin irakian të vazhdonte mospërfilljen për më shumë se 10 vjet të rezolutave të Kombeve të Basghkuara, që kërkojnë çarmatimin e tij. “Që të thuhet se nevojitet më shumë kohë ose më shumë inspektimeve është thjeshtë të kthehemi në një njëjtën pozitë që kemi qënë me Sadam Huseinin për 12 vjet me radhë. Ai ka arritur me sukses të mos çarmatoset. Ai ka shkaktuar me sukses përçarje në Këshillin e Sigurimit.”

Këshilltarja amerikane e sigurimit kombëtar Rice tha se Këshilli i Sigurimit nuk duhet ta lejojë veten të përçahet lidhur me çështjen e Irakut, përkundrazi duhet të bashkohet në mbështetje të rezolutës së re të propozuar nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Spanja, për ta shpallur Irakun në shkelje të kërkesave të OKB-së dhe për ta paralajmëruar atë për pasoja serioze në rast se dështon të bashkëpunojë plotësisht.

“Është shumë e rëndësishme që bota të flasë me një zë të vetëm dhe t’i thotë Sadam Huseinit: Tu dha mundësia e fundit për tu çarmatosur. Tani është koha që të çarmatosesh ose do të përballesh me pasojat.”

Franca dhe Gjermania thonë se nuk ka nevojë për një rezolutë të re të Kombeve të Bashkuara dhe se përparësia e Këshillit të Sigurimit duhet të jetë çarmatimi i Irakut në mënyrë paqësore.

Bagdadi thotë se nuk ka armë të ndaluara dhe beson që presidenti Bush është i vendosur ta sulmojë Irakun pavarësisht nga vendimi i Këshillit të Sigurimit.

Zonja Rice tha se administrata e presidentit Bush ka gjithnjë shpresë që Iraku të çarmatoset, por, duke pasur parasysh gjendjen aktuale, tha ajo, është vështirë të imagjinohet që Sadam Huseini do të pranojë të çarmatoset.

“Sadam Huseini do të fillojë përpjekjet për të treguar shenja të bashkëpunimit, e të përparimit. Ndoshta ai do të japë prova për shkatërrimin e disa armëve, sepse tani që ai është nën këtë trysni kaq të madhe, ai ka shumë motive që të hyjë përsëri në lojën e mashtrimeve. Por bota nuk duhet të mashtrohet. Ne kemi nevojë për një çarmatim të plotë dhe përfundimtar.”

Krye-inspektori i Kombeve të Bashkuara për armët, Hans Blix, i ka dhënë afat Irakut deri të shtunën që të shkatërrojë ato raketa, rrezja e të cilave e kalon kufirin e caktuar nga OKB-ja. Ai thotë se Iraku ka treguar shenja të reja të bashkëpunimit të madh gjatë ditëve të fundit, duke përfshirë edhe paraqitjen e dokumentave që kanë të bëjnë me shkatërrimin e disa armëve të ndaluara në vitin 1991. Zoti Blix i cilësoi hapat e fundit të Irakut si pozitive dhe tha se ato duhet të vazhdohen edhe më tej.

//ze//

XS
SM
MD
LG