Lidhje

Presidenti Bush paraqet vizionin e tij për Irakun pas rrëzimit të Sadam Huseinit - 2003-02-27


Presidenti Bush shpjegoi mbrëmë domosdoshmërinë e veprimeve ushtarake kundër Irakut, duke thënë se siguria e popullit amerikan varet nga zhdukja e kërcënimit të drejtëpërdrejtë në rritje që përbën udhëheqësi irakian, Saddam Hussein.

Zoti Bush tha se shpreson që Bagdadi të çarmatoset në mënyrë paqësore, por po të jetë e nevojshme, kundër tij do të përdoret forca. Presidenti Bush tha se një Irak i çarmatosur do të kontribonte në paqen dhe stabilitetin në gjithë Lindjen e Mesme dhe do të shërbente si shembull i lirisë.

Zoti Bush tha gjithashtu se eliminimi i mbështetjes që jep Iraku për terrorizmin do t’i hapte rrugën krijimit të shtetit palestinez.

Presidenti shprehu dy synime në fjalimin e tij: të përgatisë popullin amerikan për një luftë të mundëshme dhe të fitojë mbështetje në botën myslimane për ndërhyrjen ushtarake për çarmatimin e Irakut.

Zoti Bush foli me optimizëm për atë që shpreson të jetë e ardhmja e Lindjes së Mesme, duke shpjeguar njëkohësisht edhe qendrimin e tij të patundur kundër Irakut, në kuadrin e përpjekjes së tij për përhapjen e demokracisë në gjithë rajonin.

“....dhe nga Maroku në Bahrein e më tej, vendet e rajonit po hedhin hapa të vërtetë drejt reformave politike. Një regjim i ri në Irak do të shërbente si një shembull dramatik dhe frymëzues i lirisë për vendet e tjera në rajon”.

Presidenti tha më tej se përmbysja e Saddam Husseinit do të krijonte një mundësi të re për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve izraelito- palestieneze. Ai tha se do t’i ndërpriste terrorizmit anti-izraelit mbështetjen kryesore dhe do t’i hapte rrugën një shteti palestinez “me të vërtetë demokratik”.

“Pa këtë mbështetje nga jashtë për terrorizmin, palestinezët, të cilët po punojnë për reforma dhe për demokraci do të jenë në pozita më të mira për të zgjedhur udhëheqës të rinj, udhëheqës që me të vërtetë përpiqen për paqen”.

Presidenti i bëri këto komente para një audince që e mbështet atë fuqimisht, në Institutin amerikan Enterprise, një grup kërkimor privat konservator mbi vijat politike. Ai tha se përballimi i sfidës që përbën Iraku nuk do të jetë i lehtë. Por ai theksoi edhe një herë se bota nuk mund të lejojë një diktator brutal me armë të rrezikëshme të mos respektojë kërkesat për t’u çarmatosur.

“Siguria e popullit amerikan kërkon ndërprerjen e këtij kërcënimi të drejt për drejtë gjithnjë në rritje. Duke vepruar kundër rrezikut ne do të japim kontributin tonë të madh për sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë të botës ku jetojmë”.

Më shumë se sa në fjalimet e tij të mëparëshme, presidenti shkoi këtë herë përtej një lufte të mundëshme dhe shprehu vizionin e tij për një Irak demokratik. Ai nuk foli për koston e veprimeve ushtarake apo të rindërtimit. Në fakt, ai foli me një gjuhë më filozofike, duke iu referuar mësimeve të nxjerra nga historia amerikane.

“Ne do të qendrojmë në Irak aq sa të jetë e nevojshme dhe asnjë ditë më tepër. Amerika i ka marë dhe mbajtur angazhime të tilla në të kaluarën, në kohën e paqes që ka pasuar luftën”.

Presidenti Bush tha se Amerika nuk ka lënë ushtri pushtuese, por kushtetuta dhe parlamente. Ai tha se kishte nga ata që në fund të Luftës së Dytë Botërore ishin të bindur se demokracia nuk do të vendosej kurrë në vendet tiranike. Ai përmendi në veçanti rindërtimin e Gjermanisë pas luftës, që tani është një nga kundërshtaret më të forta të përdorimit të forcës për të çarmatosur Saddam Husseinin.

“Ne vendosëm një atmosferë sigurie, në të cilën udhëheqësit e përgjegjshëm me prirje reformiste mund të ndërtonin institucionet e qendrueshme të lirisë. Në shoqëritë që dikur i dhanë jetë fashizmit dhe militarizmit, liria gjeti vendin e saj të përhershëm”.

Presidenti tha se do të duhet një angazhim i madh për të rindërtuar Irakun. Ai nuk foli rreth çmimit të kësaj përpjekjeje që po debatohet tani në Uashington. Sipas disa njoftimeve fushta ushtarake për të çarmatosur Irakun dhe ndihma për të rindërtuar vendin mund të kushtojë deri në 95 miliardë dollarë. Kjo shumë është rreth dy herë më shumë se sa kostoja e Luftës së Gjirit Persik në vitin 1991, që i largoi forcat irakiane nga Kuvajti.

//rd//

XS
SM
MD
LG