Lidhje

Iraku thotë se filloi shkatërrimi i raketave al-Samoud-2 - 2003-02-28


Iraku thotë se sot në një objekt ushtarak jashtë Bagdadit filloi shkatërrimi i raketave të ndaluara al-Samoud-2.

Zyrtarët irakianë thonë se po shkatërrojnë katër nga raketat e ndaluara për të respektuar afatin e caktuar nga kryeinspektori i Kombeve të Bashkuara, Hans Blix. Mendohet se Iraku ka të paktën 100 raketa të këtij lloji, rrezja e të cilave e tejkalon kufirin prej 150 kilometrash të përcaktuar nga Kombet e Bashkuara.

Një ekip inspektorësh të OKB-së ndodhet tek një objekt irakian, rreth 30 kilometra në veri të Bagdadit për të mbikqyrur operacionin e sotëm.

Inspektorët e Kombeve të Bashkuara u takuan sot në Bagdad me zyrtarë të lartë të qeverisë irakiane për të përcaktuar procedurat përfundimtare për të çmontuar raketat.

Eliminimi i të gjitha raketave al-Samoud-2, tha zoti Blix, do të përbënte “një element të rëndësishme për çarmatimin e vërtetë”.

Kryeinspektori ia paraqiti dje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara raportin e tij të fundit me shkrim mbi nivelin e çarmatimit të Irakut. Në raport thuhet se në përgjithësi përpjekjet për çarmatim të Irakut, që kur filloi kontrolli për armët para më shumë se tre muajsh, kanë qenë “shumë të kufizuara”. //kk//

XS
SM
MD
LG