Lidhje

Kalendari Historik 4 mars - 2003-03-03


Më 4 mars të vitit 1801, Tomas Xheferson, ishte presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara që bëri betimin në Washington. Xhorxh Uashingtoni, presidenti i parë amerikan e kishte bërë betimin në Nju Jork, Xhon Adams, presidenti i dytë e bëri betimin në Filadelfia. Secili nga këta qytete kishte qënë kryeqytet i Shteteve të Bashkuara, deri sa Distrikti i Kolumbias, u caktua përfundimisht si qendra e qeverisë federale. Për ceremoninë e tij të inagurimit, Tomas Xhefersoni udhëtoi katër ditë që të vinte në Uashington nga shtëpia e tij në Montiçello të Virxhinias. Ai mori me qera një dhomë në një hotel të asaj kohe dhe shkoi në këmbë në Kapitol për të bërë betimin. Ceremonia u zhvillua në sallën e Senatit të Kapitolit, pasi ndërtimi i tij nuk kishte përfunduar ende. Tomas Xheferson, i cili donte që qeveria të pasyronte të gjithë njerëzit, ishte veshur me rroba të errëta të thjeshta dhe pa shënja dalluese për postin e tij. Paraqitja e Xhefersonit ndryshonte dukshëm nga ajo e Uashingtonit dhe Adamsit, të cilët ishin veshur në mënyrë tepër elegante dhe kishin me vete shpatën ceremoniale ditën e inagurimit.

Franklin Delano Rusvelt bëri betimin si presidenti i 32-të i Shteteve të Bashkuara më 4 mars 1933. Roosevelti u zgjodh president kur vendi vuante nën peshën e krizës ekonomike të viteve 30-të. Miliona punëtorë amerikanë kishin humbur vendet e punës. Fjalimi i presidentit me rastin e inagurimit, që u transmetua nëpërmjet radios në të gjithë vendin, do të bëhej më pas një nga fjalimet e tij më të famshme. Ai foli për frikën e publikut si rezultat i krizës dhe u përpoq të fitonte mbështetjen e popullit amerikan.

“Më lejoni të shpreh bindjen time të thellë se e vetmja gjë nga e cila duhet të kemi frikë është frika vetë: paniku i papërcaktuar, i paarsyeshëm, i pajustifikuar, që paralizon përpjekjet e nevojshme për të shndërruar tërheqjen në përparim,” tha Rusvelti.

Fjalmi i presidentit të ri me rastin e inagurimit i dha tonin administratës së tij. I zgjedhur president katër herë, si askush tjetër, ai qëndroi në detyrë për 12 vjet, nga 4 marsi i vitit 1933 deri më 12 prill të vitit 1945. Shumë historianë i japin Rooseveltit meritën për nxjerrjen e Shteteve të Bashkuara nga kriza dhe më pas për udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre në fitoren e Luftës së Dytë Botërore. //ad//

XS
SM
MD
LG