Lidhje

Grupi terrorist Ansar al-Islam. - 2003-03-04


Më 27 shkurt, autori i një shpërthimi vetëvrasës hodhi veten në erë duke vrarë dy ushtarë të Unionit Patriotik të Kurdistanit dhe një civil kurd në një pikë ushtarake kontrolli në periferi të Halabxhasë në Irakun Verior. Autori i shpërthimit thuhet se ishte anëtar i grupit terrorist Ansar al-Islam.

Ansar al-Isalm është një grup ekstemist islamik kurd i organizuar në vitin 2001. Ai përpiqet të krijojë një regjim të stilit taleban në rajonin autonom kurd në Irakun verior. Dihet që ky grup ka strehuar pjesëtarë të al-Kaidës nga Afganistani, Jordania dhe Maroku, si dhe palestinezë. Ai ka deklaruar të ashtuquajturën ”luftë të shenjtë” ndaj kurdëve që nuk pranojnë ideologjinë ekstremiste të këtij grupi. Terroristët e Ansar al-Isalm-it kanë vrarë zyrtarë të Unionit Patriotik të Kurdistanit dhe janë orvatur të vrasin udhëheqësin e këtij unioni, Brahim Salihun. Ata kanë përdhosur vendet e shenjta të muslimanëve sufě, kanë djegur shkollat e vajzave dhe kanë vrarë gra kurde që kundërshtonin t’u binden kodeve të tyre fondamentaliste të veshjes. Në zonat që gjenden nën kontrollin e tij, Ansar al-Islam-i ka vënë në jetë me detyrim një regjim të tipit taleban duke ndaluar muzikën, fotografitë dhe sallonet e bukurisë.

Udhëheqësi i grupit, mullah Krekar e quajti kohët e fundit Osama bin Ladenin ”margaritarin e kurorës së islamit”. Terroristët e Ansar al-Islam-it janë stërvitur në kampet e al-Kaidës në Afganistan dhe kanë përfituar mbështetje logjistike nga al-Kaida. Ata mbajnë lidhje të ngushta me terroristin me peshë të Al-Kaidës, Abu Musab al-Zarkavi, bashkëpunëtor i Osama bin Ladenit. Zarkavi është ekspert për armë kimike dhe helme. Rrjeti i tij ka ngritur një kamp stërvitor për helme dhe lëndë shpërthyese në territorin e kontrolluar nga Ansar al-Islam.

Pas përmbysjes së regjimit taleban në Afganistan, terroristë të al-Kaidës kanë gjetur strehë në zonën e kontrolluar nga Ansar al-Islami. Sekretari amerikan i shtetit, Kolin Powell, e theksoi këtë fakt në fjalimin e tij të 5 shkurtit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Dy terroristë të Ansar al-Islamit, të kapur nga Unioni Patriotik i Kurdistanit, i thanë kohët e fundit një gazete perëndimore se dy ish-oficerë të shërbimeve të fshehta irakiane bëjnë pjesë në udhëheqjen e Ansar al-Islamit.

Kurdët e Irakut verior kanë vuajtur shumë nga terrorizmi dhe shtypja e Sadam Huseinit. Ata nuk duhet të bëhen objekt i terrorizmit dhe shtypjes së një grupi që ka lidhje me al-Qaidën dhe që bashkëpunon me diktatorin irakian, Sadam Husein.

//rd//

XS
SM
MD
LG