Lidhje

Presidenti Bush: Liria e popullit irakian-çështje e madhe - 2003-03-04


Në se Saddam Husseini nuk pranon të asgjësojë armët e shkatërrimit në masë, në përputhje me kërkesën e Kombeve të Bashkuara, një gjë të tillë do ta bëjë koalicioni nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara. Por kjo do të ishte një luftë çlirimtare dhe jo pushtuese. Siç u shpreh presidenti Bush, ”Liria e popullit irakian është një çështje e madhe morale dhe një synim i madh strategjik. Populli i Irakut e meriton atë. Këtë e kërkon siguria e të gjithë vendeve.”

”Për më tepër, -tha presidenti Bush më 26 shkurt,- koalicioni qëndron gati ”t’u vijë në ndihmë qytetarëve të një Iraku të çliruar; ne do t’u dërgojmë ilaçe për të sëmurët dhe tani kemi filluar dërgimin e rreth 3 milionë racioneve të emergjencës për të ushqyer njerëzit e uritur”,-tha presidenti. Përveç ushqimeve dhe ilaçeve, Shtetet e Bashkuara kanë grumbulluar batanije, rezerva uji të pijshëm dhe artikuj të tjerë të emergjencës. Një pjesë e madhe e këtyre ndihmave tashmë kanë mbërritur në rajon dhe një sasi tjetër është nisur.

Për shpërndarjen e ndihmave, Shtetet e Bashkuara do të bashkëpunojnë me Kombet e Bashkuara dhe agjenci të tjera ndërkombëtare, si dhe me organizata të tjera jo-qeveritare, si Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe Gjysmëhëna e Kuqe. Në rastet kur këto organizata nuk do të jenë ende gati, Shtetet e Bashkuara do të sigurojnë ndihma të drejtpërdrejta, deri sa ato të marrin përsipër shpërndarjen e tyre. Për të bashkërenduar veprimtarinë e ndihmave, Shtetet e Bashkuara po përgatisin një ekip për t’ju përgjigjur fatkeqësive civile. Ky ekip do të ketë së shpejti përfaqësues në Kuvajt, Turqi, Jordani dhe Katar.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu do të përpiqen për rindërtimin e infrastrukutrës së Irakut, e cila është lënë pas dore për vite me radhë nga regjimi i Sadam Husseinit. Përveç plotësimit të nevojave të menjëhershme për kujdesin shëndetësor, përpjekjet e para do të përfshijnë furnizimin me energji dhe me ujë të pijshëm. Një pjesë e rëndësishme e përpjekjeve do të përqëndrohen në rindërtimin e Irakut, si dhe për të siguruar që nafta e Irakut dhe burimet e tjera natyrore të mbrohen nga sabotimi dhe të përdoren për të mirën e pronarit të tyre të ligjshëm-popullit irakian.

Rindërtimi i Irakut do të kërkojë përkushtimin e shumë vendeve, midis të cilave edhe Shtetet e Bashkuara. Por siç ka theksuar presidenti Bush, ”Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë në Irak përsa kohë të jetë e nevojshme dhe asnjë ditë më tepër”. Shtetet e Bashkuara nuk do të kërkojnë t’i diktojnë popullit irakian se çfarë forme do të ketë qeveria e tij e re. Siç tha presidenti Bush,”Kjo zgjedhje i takon popullit irakian. Megjithatë, tha presidenti,- ne duhet të garantojmë se nuk do të ketë zëvendësim të njërit diktator brutal me një tjetër. I gjithë populli irakian duhet të ketë një zë në qeverinë e re dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve duhen mbrojtur, tha ai.”// lk //

XS
SM
MD
LG