Lidhje

Uashingtoni thotë se Turqia nuk do të marrë pjesën më të madhe të një pakete ndihmash ekonomike - 2003-03-04


Administrata e presidentit Bush tha se Turqia nuk duhet të presë të marrë pjesën më të madhe të një pakete ndihmash ekonomike shumë miliarda dollarëshe pasi parlamenti hodhi poshtë kërkesën e Washingtonit për dislokimin e trupave amerikane në tokën turke.

Një zëdhënës i departamentit të shtetit tha dje se pjesë më e madhe e paketës së ndihmave do ta ndihmonte Turqinë për një luftë të mundshme kundër irakut. Ai shtoi se shumica e ndihmës nuk do ti jepet Turqisë në qoftë se kjo e fundit nuk angazhohet drejtëpërdrejtë në planet e luftës.

Administrata amerikane tha dje se kundërshtimi i parlamentit turk për dislokimin e trupave amerikane në territorin turk nuk do të ndikonte në rezultatin e një lufte të mundshme të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara kundër Irakut. Por zyrtarët pranuan se vendimi i papritur i parlamentit do të ndërlikojë planifikimet ushtarake.

Zyrtarë të administratës e pranojnë se votimi i së shtunës në Ankara ishte për ta surprizë duke patur parasysh konsultimet e kujdesshme amerikano-turke që i paraprinë këtij vendimi, përfshirë një marrëveshje e cila do t’i kishte siguruar Turqisë miliarda dollarë ndihmë-shtesë për të përballuar koston e luftës.

Megjithatë, ata ngulin këmbë se rezultati i votimit në parlamentin turk, ndërkohë që ndërlikon planifikimet ushtarake, nuk do të dëmtonte përgatitjet dhe se Shtetet e Bashkuara do ta fitojnë luftën me apo pa ndihmën e Turqisë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ari Flajshër, tha se nëse Presidenti Bush autorizon ndërhyrjen ushtarake, hyrja në Irak nga Turqia nuk do të jetë e vetmja alternativë për komandantët amerikanë.

“Nuk ka dyshim se hyrja nga Turqia do të kishte qenë e volitshme, por ka edhe alternativa të tjera nga pikëpamja ushtarake. Presidenti Bush ka besim të patundur se këto alternativa të tjera do të jenë të suksesshme ushtarakisht po të vendosë t’i përdorë ato”.

Një flotë amerikane anijesh me tanke e mjete të tjera ka qendruar pranë brigjeve turke në pritje të votimit të parlamentit për të lejuar trupat amerikane në territorin turk.

Por projekt-ligji i propozuar nuk arriti të merrte shumicën e duhur absolute të votave dhe zyrtarë të administratës amerikane nuk janë otpimistë përsa i përket një përpjekjeje të Kryeministrit Abdullah Gyl për një votim të dytë për të ndryshuar rezultatit në parlament.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha pardje gjatë një bisede telefonike me Sekretarin e Shtetit, Kolin Pauëll, se zoti Gyl ”as që e kishte shqyrtuar mundësinë” e një rezultati negativ të votimit të shtunën.

Ndërkaq, Departamenti amerikan i Shtetit e bëri të qartë se pjesa më e madhe e paketçs së ndihmave prej disa miliarda dollarësh, që u diskutua për Turqinë, nuk do të jepet po qe se rezultati i votimit mbetet në fuqi.

Zëdhënësi Riçard Bauçër tha se ndihma do të jepej posaçërisht që Turqia të përballonte koston e pjesëmarrjes në një përpjekje lufte. “Pjesa më e madhe e ndihmës ishte parashikaur për të ndihmuar Turqinë të përballonte koston e drejtpërdrejtë të angazhimit të saj në luftë si dhe pasojat, prandaj mund të them se pjesa më e madhe e kësaj ndihme nuk do ti jepet Turqisë në se ajo drejtpërdrejtë në përpjekjet e luftës”.

Zoti Bauçër tha se vlerësimi themelor i Shteteve të Bashkuara për Turqinë si aleat i rëndësishëm nuk ka ndryshuar dhe se administrata e Presidentit Bush do të vazhdojë të mbështesë programin ekonomik të qeverisë së Ankarasë dhe bashkëpunimin e saj me institucionet financiare ndërkombëtare.

//ze//

XS
SM
MD
LG