Lidhje

Powell: Iraku vazhdon të fshehë dhe prodhojë armë të ndaluara - 2003-03-05


Sekretari amerikan i shtetit Colin Powell tha se presidenti irakian Sadam Husein nuk ka marrë ndonjë vendim strategjik ose politik për të hequr dorë nga armët e shkatërrimit në masë siç kërkojnë rezolutat e Kombeve të Bashkuara. Sekretari Powell tha të mërkurën se Iraku vazhdon të ketë dhe të fshehë armë të ndaluara dhe vazhdon prodhimin e tyre, duke bërë përpjekje aktive për t’i fshehur ato.

Po të mërkurën, Kryeinspektori i armëve Hans Blix tha se shkatërrimi i raketave nga Iraku gjatë ditëve të fundit përbën atë që ai e quajti, “çarmatim të vërtetë.”

Duke folur me gazetarët në New York, ai tha se procesi i inspektimeve po bëhet pothuajse plotësisht operacional. Ai tha se do të dëshironte të kishte aeroplanë me aftësi për të parë gjatë natës, për të ndihmuar inspektiorët.

Zoti Bliz tha se Iraku po bashkëpunon më shumë me inspektorët. I pyetur se çfarë rreziku përbën Iraku, zoti Blix tha se arsenali i armëve të këtij vendi është më i vogël se sa pas luftës së Gjirit Persik më 1991. Të premten zoti Blix pritet të raportojë në Këshillin e Sigurimit qëndrimin e Irakut ndaj inspektimeve.

Iraku shkatërroi sot 9 raketa të tjera të ndaluara al-Samud, duke e çuar në 28 numrin e raketave të tilla të asgjësuara nën vëzhgimin e inspektorëve të Kombeve të Bashkuara.

Ky është numri më i madh i raketave të agjësuara nga Iraku në një ditë të vetme, që nga 1 marsi, kur filloi procesi për shkatërrimin e 120 raketave. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Annan dhe Kina e kanë përshëndetur shkatërrimin e raketave nga Iraku, por sekretari amerikan i mbrojtjes, Donald Rumsfeld, nuk i ka dhënë rëndësi asaj.

Inspektorë të tjerë të OKB-së bënë të mërkurën kërkime në instalime raketash dhe uzina kimike në Bagdad dhe në zonat për rreth tij.//kk//

XS
SM
MD
LG