Lidhje

Columbia: Gazrat e mbinxehura nga fërkimi mund të kenë shkaktuar shpërthimin - 2003-03-06


Hetuesit që po merren me katastrofën e anijes amerikane të hapësirës Columbia, po përpiqen të bashkojnë pjesët e mozaikut më të madh të botës, me fjalë të tjera, të zgjidhin një mister të vështirë.

Në një hangar të madh të agjencisë amerikane të hapësirës në Florida, punëtorët po vendosin me shumë kujdes mijëra pjesë të gjetura të anijes në pozicionet e tyre të mëparshme dhe po analizojnë secilën për të gjetur të dhëna për shkakun e shpërthimit të anijes muajin e kaluar.

Mbi dyshemenë e hangarit është vizatuar skica e anijes amerikane të hapësirës. Rreth 300 teknikë dhe inxhinierë me këmisha të bardha laboratori, doreza dhe syze mbrojtëse punojnë me dy turne duke i vënë rrënojat e anijes Columbia në pozicionet e tyre të skicuara në dysheme.

Detyra e punëtorëve është shumë e ndërlikuar, pasi bëhet fjalë për 22 mijë copëra të anijes të gjetura në Teksas dhe Luiziana, ku ajo u shkatërrua pak para se të ulej në tokë.

Ndërsa skuadra e hangarit rregullon pjesët, ekspertët analizojnë gjendjen e tyre për të gjetur të dhëna për shkakun e aksidentit. Grupi i specialistëve të pavarur që po heton aksidentin, beson se gazra atmosferike, të mbinxehura nga fërkimi kur anija po i afrohej tokës, hynë në një vrimë në krahun e majtë dhe shkaktuan shkatërrimin e strukturës.

Pyetja kryesore së cilës përpiqen t’i japin përgjigje ekspertët, është se në ç’pjesë të krahut të majtë depërtoi gazi i nxehtë. Ata besojnë se përgjigjia e kësaj pyetjeje do të ndihmonte për të përcaktuar shkakun e katastrofës. Kështuqë ata janë më shumë të interesuar të studiojnë mbetjet e anijes që janë dëmtuar më tepër nga nxehtësia.

“Ne duhet të studiojmë pjesët e dëmtuara nga nxehtësia, derisa të arrijmë në vendin ku është dëmtuar fillimisht krahu”, thotë anëtari i grupi të hetimit, Roger Tetrault.

Por anëtarët e grupit thonë se sapo e kanë filluar punën. 22 mijë pjesët e rrënojave të gjetura, përbëjnë vetëm 14 për qind të anijes, përsa i takon peshës. Vetëm 70 për qind e pjesëve janë identifikuar. Ekpertët thonë se shumë pjesë mund të mos gjenden kurrë, pasi mund të jenë djegur në atmosferë nga shpërthimi i anijes.

Por kryetari i grupit të specialistëve, Harold Gehman thotë se pjesët në dispozicion po studiohen hollësisht për të përcaktuar se ku ishin në anije.

Para 17 vjetësh, ekipi që hetonte shpërthimin e anijes së hapësirës Challenger e zbuloi shkakun brenda një muaji. Duket qartë se hetimi për anijen Columbia do të zgjasë shumë më tepër. Por zoti Gehman shpreh bindjen se përgjigjia do të gjendet mes rrënojave.

“Ne po vazhdojmë të punojmë pa pushim dhe kemi besim se do ta gjejmë shkakun kryesor dhe përcaktojmë shkaqet dytësore. Ne nuk do ta humbim besimin, vetëm sepse nuk e kemi zbuluar arsyen deri tani”, thotë zoti Gehman.

Kurdo që të mbarojë hetimi dhe anijet të rifillojnë fluturimet, copërat e Columbias të përhapura në dyshemenë e hangarit të agjencisë së hapësirës Nasa në Florida do të përfundojnë në një depo, që ka qenë hangar raketash dhe që ndodhet pranë një vendi të ngjashëm ku gjenden rrënojat e anijes Challenger.//kk//

XS
SM
MD
LG