Lidhje

Bush: Liria për popullin irakian çështje e madhe morale dhe qëllim i madh strategjik - 2003-03-07


Për vite të tëra Sadam Huseini ka shtypur egërsisht popullin irakian. Dhe duke mos pranuar të eliminojë armët irakiane të shkatërrimit në masë, regjimi i tij është bërë një rrezik për rajonin dhe për botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre janë angazhuar ta largojnë këtë rrezik. Ata janë angazhuar gjithashtu ta bëjnë Irakun një shtet të lirë dhe paqësor. I takon popullit irakian të përcaktojë formën e qeverisë së tij të re. Por siç ka thënë presidenti George W. Bush, Shtetet e Bashkuara “do të garantojnë që një diktator i egër të mos zëvendësohet me një tjetër. Të gjithë irakianët duhet të kenë të drejtën e fjalës në qeverinë e re dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve duhet të mbrohen.”

Për arritjen e këtyre qëllimeve, komiteti këshillimor i opozitës irakiane u mblodh kohët e fundit në qytetin Salahudin, në pjesën veriore të Irakut, që nuk kontrollohet nga regjimi i Sadam Huseinit. Ndër të tjerë mes 54 anëtarëve të Komitetit Këshillimor bëjnë pjesë edhe myslimanë Sunni dhe Shiitë, si edhe kurdë të Irakut. Takimi u dha një rast të mirë këtyre irakianëve të guximshëm për të vazhduar planet për një Irak demokratik, që do të dijë të përfitojë nga forca dhe përvoja e komunitetit irakian, si brenda edhe jashtë Irakut.

Delegacioni i Shteteve të Bashkuara në atë takim kryesohej nga Zalmay Khalilzad, i dërguar i posaçëm presidencial për Irakianët e Lirë. Ai ripohoi përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për krijimin e një qeverie irakiane demokratike, përfaqësuese e me bazë të gjërë, që të respektojë sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut. Parime të tjera janë ruajtja e tërësisë tokësore të Irakut dhe që Iraku të jetojë në paqe me fqinjët e tij, të heqë dorë nga armët e shkatërrimit në masë, të luftojë terrorizmin dhe të përmbushë detyrimet e tij ndërkombëtare.

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Komitetin Këshillimor të opozitës irakiane dhe me irakianë të tjerë të lirë, si edhe me ata irakianë që vazhdojnë të vuajnë të heshtur në robëri. Populli irakian është i gatshëm të fillojë detyrën e vështirë të vendosjes së demokracisë. Dhe shumë vende liridashëse në botë presin me padurim, së bashku me ta, ditën e çlirimit të tyre.

Siç ka thënë presidenti Bush, “Liria për popullin irakian është një çështje e madhe morale dhe një qëllim i madh strategjik. Populli i Irakut e meriton atë dhe sigurimi i të gjitha vendeve e kërkon atë.”//ic//

XS
SM
MD
LG