Lidhje

Kalendari Historik 11 mars - 2003-03-07


Më 11 mars 1941, presidenti Franklin D. Roosevelt, nënshkroi ligjin Hua-Dhe-Qira, mjeti kryesor i Shteteve të Bashkuara për t’u dhënë ndihmë ushtarake aleatëve para se të hynin në Luftën e Dytë Botërore. Ky ligj autorizonte presidentin t’i jepte armë dhe mjete të tjera mbrojtëse “qeverisë së çdo vendi, mbrojtjen e të cilit presidenti e gjykonte jetike për mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara.” Materialet mund t’i kalonin vendit tjetër me shitje, transferim, shkëmbim ose hua. Shlyerja e huasë do të përcaktohej më vonë. Presidenti Roosevelt e mbështeti në mënyrë energjike ligjin Hua-Dhe-Qira dhe e përshkroi atë si një plan që do të ndihmonte për të shuar zjarrin në shtëpinë e fqinjit, para se shtëpia jote të merrte zjarr e të shkatërrohej prej tij. Më 11 mars 1918, në Shtetet e Bashkuara u njoftuan rastet e para të të ashtuquajturit Grip Spanjoll, kur 107 ushtarë u sëmurën në Fort Riley të shtetit Kansas. Epidemia e gripit spanjoll kishte rënë në gjithë botën dhe aty nga viti 1920 prej tij kishin humbur jetën 22 milionë njerëz, ose më shumë se një përqind e popullsisë botërore. Origjina e virusit të kësaj sëmundjeje asnjëherë nuk u përcaktua me saktësi. Ai mund të ketë ardhur nga Azia. Ai u quajt grip spanjoll për shkak të numrit relativisht të lartë të rsteve të sëmundjes, që u vunë re në Spanjë në fillim të epidemisë. Nga fundi i vitit 1920 rreth 25 përqind e popullsisë së Shteteve të Bashkuara ishte goditur nga kjo sëmundje. Rreth 500 mijë civilë amerikanë humbën jetën prej saj, shifër kjo më e lartë sesa numri i trupave amerikane që u vranë gjatë Luftës së Parë Botërore. //kk//

XS
SM
MD
LG