Lidhje

Bush: Në se do të na duhet, ne do të veprojmë pa miratimin e OKB-së - 2003-03-07


Presidenti Bush thotë se bota është disa ditë larg vendimit lidhur me mënyrën se si do të veprohet me armët e dyshimta irakiane të shkatërrimit në masë. Franca, Rusia dhe Kina duan që inspektimet e armëve nga ana e OKB-së të vazhdojnë. Presidenti Bush kërkon që Këshilli i Sigurimit të vendosë të zbatohen me forcë paralajmërimet e mëparshme për pasoja të rënda, në se Iraku nuk çarmatoset.

Kur pritet që disa ditë pas raportit të sotëm të inspektorëve të armëve të OKB-së çështja të hidhet në votë në Këshillin e Sigurimit, zoti Bush thotë se diplomacia nuk ka dhënë rezultat në Irak dhe se ai është i gatshëm të përdorë forcën pavarësisht se çfarë vendos Këshilli i Sigurimit.

“ Në se do të na duhet të veprojmë, ne do të veprojmë dhe në të vërtetë nuk na duhet miratimi i OKB-së për ta bërë një gjë të tillë.”

Presidenti Bush thotë se akoma nuk ka vendosur se kur do ta fillojë luftën. Por po e filloi, zoti Bush thotë se trupat do ta përmbysin Sadam Huseinin dhe do ta zëvendësojnë, siç tha ai, me një qeveri të drejtë që do të përfaqësonte të gjithë irakianët. Në se udhëheqësi irakian do të shkonte në mërgim, thotë presidenti Bush, ai do të bënte mirë, përsa kohë që vendi do të hiqte dorë nga stoqet e armëve kimike e biologjike.

Presidenti nuk u kushtoi rëndësi atyre që kërkojnë t’i jepet Irakut më shumë kohë për të përmbushur kërkesat e inspektorëve të armëve, duke thënë se po të donte seriozisht të çarmatosej, Sadam Huseini do ta kishte bërë me kohë një gjë të tillë.

“Grupet e inspektimeve nuk kanë nevojë për më shumë kohë ose personel. Atyre u duhet ajo që nuk e kanë pasur asnjëherë: bashkëpunimi i plotë nga ana e regjimit irakian. Disa xheste simbolike janë të papranueshme.”

Zoti Bush thotë se e vetmja provë e pranueshme do të ishte çarmatimi i plotë i Irakut. Çdo gjë tjetër, më pak se kaq, do të rrezikonte Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre, thekson zoti Bush, sepse Iraku mund të

“Rreziku i të mos bërit asgjë, rreziku i të shpresuarit se Sadam Huseini do ndryshojë mendje dhe do të bëhet një njeri i mirë, rreziku se të mos vepruarit do ta bënte botën më të sigurt, do të ishte një rrezik që unë nuk do të doja ta merrja mbi supe për popullin amerikan.”

Franca thotë se një sulm kundër Irakut do të çonte në sulme të tjera terroriste. Presidenti Bush thotë se çarmatimi i Sadam Huseinit është pjesë e luftës kundër terrorizmit, për shkak të mbështetjes së udhëheqësit irakian për terroristët e al-Qaidës, përgjegjës për sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në Nju Jork dhe Uashington.//ic//

XS
SM
MD
LG