Lidhje

Britania propozon amendament në rezolutën e re për çarmatimin e Irakut - 2003-03-07


Britania propozoi një amendament për një rezolutë të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, e cila i kërkon Këshillit të Sigurimit të vendosë një afat për çarmatimin e Irakut. Përndryshe, thuhet në rezolutë, Iraku do të përballet me luftën.

Sipas njoftimeve, propozimi britanik përmban një afat të ri, 17 marsin, që Iraku të demonstrojë se po bashkëpunon plotësisht me kërkesat e Këshillit të Sigurimit për çarmatimin.

Sekretari i jashtëm britanik, Jack Straw, tha në takimin e 15 vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit se kjo duhet t’i dërgojë një mesazh të qartë Bagdadit se kriza do të zgjidhet sipas kushteve të OKB-së.

Ai tha se diplomacia duhet të shoqërohet me kërcënimin e besueshëm të forcës.

Po sot në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, sekretari amerikan i shtetit Colin Powell tha se qendrimi i Irakut deri tani ka qenë një katalog mos bashkëpunimi. dhe se veprimet e Irakut nuk përbëjnë një bashkëpunim të plotë dhe të menjëhershëm, siç kërkohet në rezolutën 14-41.

Mirëpo, ministrat e jashtëm të Francës, Rusisë dhe Kinës, vazhdojnë të kërkojnë zgjatjen e inspektimeve, duke thënë se po arrihet përparim. Ata thanë gjithashtu se nuk do ta mbështesnin një projektrezolutë të dytë ku bëhet thirrje për luftë. Gjermania, anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit, tha gjithashtu se duke patur parasysh përparimin e bërë në inspektimet, ajo nuk do ta mbështesë një rezolutë të tillë.

Në një raport të rëndësishëm që mbajti sot përpara Këshillit të Sigurimit kryeinspektori i OKB-së për armët, Hans Blix tha se Iraku e ka shtuar bashkëpunimin për çështjet thelbësore. Ai tha se edhe me qendrimin aktiv të Irakut, inspektorëve do tu duhen disa muaj për të përfunduar punën e tyre.

//rd//

XS
SM
MD
LG