Lidhje

Liria për popullin irakian është një çështje e madhe morale dhe një objektiv i madh strategjik - 2003-03-09


Këtë muaj 50 vjet më parë, u njoftua vdekja e tiranit sovjetik, Josif Stalin. Pas pesë dekadash shtypjeje të egër dhe vështirësish ekonomike, populli i Bashkimit Sovjetik, po fillonte të merrte frymë pak me lehtë. Do të kalonin dekada të tjera para se Rusia dhe ish-republikat e tjera sovjetike të çliroheshin nga komunizmi, por më e keqja kishte marrë fund.

Gjatë gjithë historisë pak sundimtarë i janë afruar Stalinit nga egërsia. Për këtë flasin vetë shifrat. Miliona njerëz të vrarë nga policia e fshehtë ose forca të tjera të Stalinit. Të paktën 6 milionë të vdekur nga uria e shkaktuar prej qeverisë. Rreth 18 milionë veta të dërguar në kampe të punës së detyruar, ku një numër i madh vdiqën nga uria, sëmundjet ose puna raskapitëse. Qindra miliona njerëz që jetonin në frikë.

Këtyre shifrave është vështirë t’u afrohet ndonjë tjetër. Megjithatë ka nga ata që përpiqen. Njëri është tirani i Irakut, Sadam Husein. Njoftohet se Stalini është një nga heronjt e Sadamit. Dhe në të vërtetë karriera e Sadamit është e ngjashme me atë të Stalinit në shumë drejtime. Sikurse Stalini, Sadami ka përdorur vazhdimisht terrorin dhe vrasjet për të forcuar pushtetin e tij. Sikurse Stalini ai ka përqendruar pushtet absolut në duart e tij dhe ka përjetësuar kultin e personit të tij. Dhe si Stalini ai burgos, torturon e vret jo vetëm individë, por grupe të tëra njerëzish, që i quan të rrezikshëm.

Said Aburish dikur ka punuar në poste të ndryshme në qeverinë irakiane, gjë që i ka dhënë mundësinë të ketë pasur kontakte të afërta me Sadam Huseinin. “Çdo gjë që bënte Sadam Huseini, thotë zoti Aburish, kishte ngjyrime staliniste. Në mënyrë të veçantë, besimi i tij në sistemin e sigurimit, më shumë sesa në forcat e armatosura. Përdorimi i elementëve kriminalë në sistemin e sigurimit... Dhe ata njerëz, thekson zoti Aburish, ishin ca banditë gjysmanalfabetë, besnikë deri në fund të Sadam Huseinit, pa të cilin ata nuk ishin asgjë. Cilindo që Sadami donte ta hiqte qafe, ai do ta hiqte.”

Kjo është natyra e regjimit irakian, përballë të cilit ndodhet bota sot. Një tirani e llojit stalinian që shtyp popullin e Irakut, kërcënon fqinjët e këtij vendi dhe sfidon Kombet e Bashkuara duke mos pranuar të heqë dorë nga programet e armëve të shkatërrimit në masë dhe raketat me rreze të gjatë veprimi.

Siç ka thënë presidenti George W. Bush, populli i Irakut ka vuajtur për një kohë shumë të gjatë. Liria për popullin irakian është një çështje e madhe morale dhe një objektiv i madh strategjik. Populli i Irakut e meriton atë; dhe sigurimi i të gjitha vendeve e kërkon atë.//ic//

XS
SM
MD
LG