Lidhje

Qeveria shqiptare miratoi dërgimin e një njësie komando në Gjirin Persik - 2003-03-10


Ndërsa diplomacia ndërkombëtare vazhdon të jetë e përcarë rreth një ndërhyrjeje ushtarake ndaj Irakut, qeveria shqiptare ndërmerr një tjeter hap në mbështetje të qartë të ShBA dhe vendeve të tjera që këmbëngulin për një ndëshkim të shpejtë të regjimit të Sadam Huseinit. Kryeministri Fatos Nano thirri sot pasdite një mbledhje jashtë radhe të qeverisë së tij, për të miratuar një akt normativ për “pjesmarjen e një force ushtarake shqiptare në Gjirin Persik në kuadër të koalicionit ndërkombëtar të luftës kundër terrorrizmit”.

Vendimi i sotëm autorizon pjesmarrjen e një kompanie komando, trupave të përzgjedhura të ushtrisë shqiptare, në rajonin e Gjirit. Sipas aktit normativ të miratuar sot, i cili duhet të marrë edhe voten e parlamentit,trupat shqiptare dërgohen atje “në mbështetje të paqes dhe në mbështetje të plotë me angazhimet e shtetit shqiptar në luftën kundër terrorrizmit global”.

Po sipas vendimit të qeverisë, Shqipëria vë në dispozicion të forcave të koalicionit ndërkombëtar kundër terrorrizmit, hapësirën tokësore, detare dhe ajrore si dhe lehtësira stërvitore. Ky veprim i ishte kërkuar qeverisë pak ditë më parë nga parlamenti me anë të nj rezolute të votuar nga të gjithë deputetët.

Më shumë se sa një angazhim konkret, për shkak edhe të mundësive të pakta të ushtrisë shqiptare, vendimi i qeverisë shqiptare është më tepër një akt politik. Shqipëria u rreshtua që në fillim në mënyrë të hapur krah vendeve që me në krye Shtetet e Bashkuara kanë dënuar ashpër regjimin e Sadam Huseinit, duke kërkuar një ndërhyrje ushtarake në Irak.

Kryeministri Nano deklaroi gjatë mbledhjes së kabinetit të tij se “kjo vendimmarrje nuk është as emocionale, as impulsive, por ka ardhur si rezultat i një analize të gjithanshme e të thelluar të provave të ofruara nga aleatët, të interesave kombëtare të vendit për integrim, dhe mundësive reale të Shqipërisë”. Në kundërpërgjigje të analizave sipas të cilave ky qëndrim i Shqipërisë mund të vlerësohet si antieuropian, kryeministri Nano ka qartësuar se Tirana “I konsideron shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian jo si dy institucione kundërshtare, por si dy institucione mike dhe të pandara me kontribute të përbashkëta në progresin e demokracisë dhe sigurisë në botë. Qëndrimet e ndryshme në lidhje me një cështje të caktuar - ka theksuar kryeministri - janë vetem pjesë e debatit politik dhe provë e lirisë së zgjedhjes”.

Kjo është hera e parë që trupat e ushtrisë shqiptare autorizohen të marrin pjesë në një konflikt të armatosur. Deri tani, njësi të specializuara shqiptare janë përfshirë në misione paqeruajtëse, në Bosnje dhe Afganistan.

//rd//

XS
SM
MD
LG