Lidhje

ShBA: përpjekje për projektrezolutën e re mbi Irakun - 2003-03-10


Shtëpia e Bardhë thotë se shpreson që Rusia dhe Franca nuk do t’i vënë veton një projektrezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që mund t’i hapë rrugën veprimeve ushtarake kundër Irakut. Ndërkohë, presidenti Bush është angazhuar vetë në mënyrë aktive për të siguruar mbështetje për këtë masë: Zyrtarët rusë thonë se janë përgatitur të votojnë kundër projektrezolutës. Kjo është një nga sfidat më të fundit ndaj përpjekjeve të Shtëpisë së Bardhë për të miratuar këtë propozim dhe për të siguruar përkrahjen e Kombeve të Bashkuara për luftë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Ari Fleischer e cilësoi si “zhgënjyes” qëndrimin e Moskës. Por ai shtoi se ka ende shpresë që Franca dhe Rusia të vendosin në momentin e fundit për të lejuar miratimin e rezolutës.

Ai tha se presidenti Bush po u telefonon udhëheqësve të huaj për të diskutuar çështjen e Irakut ndërkohë që afron momenti i votimit në Këshillin e Sigurimit. Ai tha se presidenti po e paraqet nevojën për çarmatimin e Irakut si një “çështje morale.”

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë sjell si shembull Kosovën dhe Ruandën, ku pasiviteti i Kombeve të Bashkuara çoi në humbjen e shumë jetëve. Ai thotë se nëse Rusia apo Franca i vënë veton rezolutës mbi Irakun, ata do të zhgënjejnë njerëz që meritojnë të jenë të lirë dhe të bëjnë një jetë më të mirë.

Teknikisht, Shtëpisë së Bardhë i nevojiten 9 nga 15 votat e Këshillit të Sigurimit për ta miratuar projektrezolutën. Megjithatë, pesë anëtaret e përhershme: Shtetet e Bashkuara, Britania, Rusia, Kina dhe Franca gëzojnë të drejtën e vetos. //ad//

XS
SM
MD
LG