Lidhje

Presidenti Bush vazhdon përpjekjet diplomatike për të siguruar mbështetje për projektrezolutën - 2003-03-11


Shtetet e Bashkuara do të kërkojnë që këtë javë Këshilli i Sigurimit të hedhë në votë një projektrezolutë e cila i hap rrugën veprimeve ushtarake për çarmatimin e Irakut. Siç njofton korrespondentja jonë, Paula Wolfson, Presidenti Bush vazhdon ndërkohë përpjekjet diplomatike me anë të telefonatave, për të siguruar mbështetje për këtë projektrezolutë

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ari Fleischer, tha se projektrezoluta do të hidhet në votë këtë javë megjithë kundërshtimet e forta nga ana e disa prej anëtarëve kryesorë të Këshillit të Sigurimit.

Franca dhe Rusia kanë deklaruar se janë gati të votojnë kundër dhe t’i venë veton projektrezolutës si anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit.

Zoti Fleischer tha se konsultimet vazhdojnë, por koha po kalon me shpejtësi. Sipas fjalëve të tij, ”ka mbetur edhe pak hapësirë për ndonjë manovër të vogël diplomatike, por jo shumë hapësirë dhe jo shumë kohë.”

Në Këshillin e Sigurimit prej 15 anëtarësh, 10 janë anëtarë të zgjedhur ndërsa 5, të përhershëm. Disa nga vendet anëtare kanë propozuar që afati i 17 marsit që i është vënë Irakut për t’u çarmatosur, të zgjatet edhe një muaj. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë e quajti këtë ide krejtësisht pa vend.

Gjatë një takimi me gazetarët, zoti Fleischer theksoi edhe një herë se Presidenti Bush mendon se ai e ka autoritetin për çarmatosjen e Irakut me forcë. I pyetur nëse një sulm kundër Irakut pa miratimin e Kombeve të Bashkuara mund të minonte koalicionin ndërkombëtar që lufton terrorizmin, zëdhënësi përmendi rrezikun që përbën udhëheqësi irakian Saddam Hussein dhe armët e tij të shkatërrimit në masë.

//rd//

XS
SM
MD
LG