Lidhje

Beogradi: kalimi i kompetencave nga UNMIK në qeverinë e Kosovës do të destabilizojë rajonin - 2003-03-11


Duke reaguar, ndaj vendimit të shefit të UNMIKut që Qeverisë së Kosovës ti kalohen më shumë kompetenca, autoritetet e Beogradit kanë vlerësuar se ky vendim është provokacion i rrezikshem i cili do ta destabilizojë më tej rajonin. Mënyra e transferimit të kompetencave tregon për formimin e shtetit të pavarur dhe të sistemit të ri që është ndryshe nga pjesët e tjera të Serbisë e Malit të Zi, ka thënë nënkryeministri i Serbisë, Nebojsha Çoviç.

Në emër të Beogradit zyrtar ka reaguar nënkryeministri i Serbisë, Nebojsha Çoviç i cili ka thënë se përfaqësuesit serb nuk mund të marrin pjesë në qasjen me të cilën faktikisht formohet Kosova e pavarur. Ai ka theksuar se kalimi i kompetencave nga UNMIK në qeverinë e Kosovës, po bëhet pa bashkëpunim me Beogradin, dhe këtë e ka quajtur provokacion të menduar mirë. "Duket se zoti Shtjaner ka pritur se ne nuk do të përgjigjemi në ftesën e tij për dialog, dhe pasi e bëmë këtë atëherë ai po përgadit provokacion të ri ndaj Beogradit, me që bashkësia shqiptare nuk po don dialog me autoritetet e Serbisë", ka thënë Çoviç.

Duke shprehur shqetësim për gjendjen në të cilën, sipas tij, po hyhet, ai ka theksuar se qeveria e Serbisë në mbledhjen e parë duhet ti shqyrtojë qëndrimet e veta për bisedime,sepse po krijohet një situatë e rrezikshme në Kosovë, po formohet shteti i pavarur. Ai tha se Shtajneri në njërën anë po fton për bisedime e në anën tjetër po merr vendimin për kalimin e kompetencave më të mëdha në qeverinë e Kosovës, dhe e gjithë kjo i ngjan qasjes ku shefi i UNMIKut, duke ditur se do të largohet nga ky post gjatë pushimeve verore, po dëshiron që me çdo çmim të shënojë rezultat në thojza, thekson Çoviç.

Burime nga delegacioni i Beogradit për bisedime me Prishtinë, thonë se brenda dy- tri ditëve të ardhshme, qeveria e Serbisë me siguri do të marrë vendimin për ngrirjen e bisedime me autoritetet e Kosovës. Dhe nëse ndërkohë nuk ndryshohet diç në të mirë, atëherë vendimi për fillimin e bisedimeve do të pezullohet në tërësi.

Edhe anëtari serb i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Oliver Ivanoviç ka shprehur shqetësimin me vendimin e shefit të UNMIKut, duke shtuar se institucionet e Kosovës edhe deri më tash kanë pasur shkallë të caktuar të kompetenacve por nuk i kanë shfrytëzuar si duhet. Ai ka shprehur frikën se zoti Shtajner, është ngutur tepër dhe në kohën e ngushtë në të cilën po vepron mund të bejë hapa të gabuar. Ngjashëm kanë reaguar edhe drejtuesit e tjerë politikë të serbëve të Kosovës.

Nga ana tjetër kryetari i Parlamentit të Unionit serbomalazez, Dragoljub Miqunoviç ka vlerësuar mbrëmë, gjatë takimit me shefin e delegacionit amerikan në OSBE - Stefan Minikes, se krijimi i kushteve për kthimin e 200 mijë personave të shpërngulur në Kosov, është parakusht i parë për dialog me autoritetet e Kosovës. Ai ka thënë se autoritetet e Beogradit e kanë inicuar dialogun me ato të Kosovës me qëllim që të shmanget shpërthimi i çfarëdo konflikti, dhe rreth kësaj llogaritet në bashkëpunimin me UNMIKun, Kfor-in dhe OSBEnë.

//rd//

XS
SM
MD
LG