Lidhje

SHBA pezullon fluturimin e avionëve vëzhgues mbi Irak - 2003-03-11


Shtetet e Bashkuara pezulluan dje fluturimet e avionëve vëzhgues U-2 mbi Irak, pasi avionë irakianë konfrontuan 2 prej aeroplanëve amerikanë.

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Donald Rumsfeld, tha se Iraku nuk u kërcënua drejtëpërdrejtë dhe të dy aeroplanët amerikanë u kthyen të sigurtë në bazën e tyre në Kuvajt.

Zyrtarë irakianë thanë se nuk kishin pritur një aeroplan të dytë vëzhgues pasi inspektorët e Kombeve të bashkuara për armët i informuan ata se vetëm një aeroplan do të fluturonte. Iraku e cilësoi incidentin si keqkuptim.

Një zëdhënës i Kombeve të Bashkuara tha se aeroplanët e vëzhgimit i ndihmojnë inspektorët të kërkojnë për armë të ndaluara në teren dhe se ato do të rifillojnë.

Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara thonë se Iraku duhet të bëjë më shumë për tu çarmatoser, megjithëse vazhdon të shkatërrojë raketat e ndaluara Al-Samud.

Hiro Ueki, zëdhënës i inspektorëve të Kombeve të Bashkuara, tha se Iraku vazhdoi dje asgjesimin e raketave, por irakianët nuk specifikuan numrin e tyre.

Deri tani, Iraku ka shkatërruar rreth gjysmën e arsenalit të deklaruar të raketave, të cilat Kombet e Bashkuara thonë se mund të fluturojnë matanë kufirit të caktuar pas luftës së Gjirit Persik më 1991.

Zëdhënësi Ueki tha se Iraku ende nuk ka sqaruar një numër çështjesh mbi çarmatimin, përfshirë pyetjet mbi fatin e gazit nervor V-X dhe antraksin.

//ze//

XS
SM
MD
LG