Lidhje

Rezistenca ndaj Antibiotikëve - Transplantimi i Qelizave Embrionale - 2003-03-11


Shkencëtarët parashikojnë që brenda verës së ardhëshme, bakteri i streptokokut mund të bëhet rezistent ndaj dy antibiotikëve kryesorë. Studimi i kryer në universitetin Harvard vë në dukje se dy prej antibiotikëve më të përdorshëm; penicilina dhe erithromicina po e humbasin fuqinë e tyre ndaj streptokokut. Ky lloj bakteri është një prej shkakrëve të shumë sëmundjeve duke filluar nga meningjiti, infeksioni në vesh dhe shumë raste të pneumonive.

Doktor Angelo Kostas thotë se kur shihet që streptokoku po bëhet dy herë më rezistent atëherë problemi bëhet me të vërtetë shqetësues pasi arsenali për të luftuar këtë mikrob po dobësohet. Shkencëtarët thonë se antibiotikët po bëhen gjithnjë e më pak të efektshëm pasi bakterja ka evoluar për t’u rezistuar ilaçeve. Ata thonë se problemi shkaktohet nga përdorimi i tepruar ose pa vend i ilaçeve dhe kur të sëmurët nuk e përfundojnë kurën e plotë me ilaçe.

Duke vepruar kështu, thotë Doktor Stuart Levy, një nga autorët e studimit, ne krijojmë pa dashje armën e shkatërrimit tonë, pasi ne nuk jemi në gjendje të luftojmë mikrobin. Për shembull, vitin e kaluar këmba e një pacienteje u infektua nga një bakter rezistent ndaj Vankomicinës, antibiotiku më i fortë që ekziston. Mjekët arritën të shpëtojnë jetën e pacientes, por si masë parandaluese ata u detyruan të izolonin të gjithë pavjonin ku ishte shtruar e sëmura.

Studimi këshillon mjekët që të sigurohen që pacienti vuan nga infeksioni bakterial dhe jo virusal, para se të rekomandojnë kurimin me antibiotikë. Ata gjithashtu nxisin kryerjen e vaksinës kundër streptokokut për foshnjet dhe të moshuarit; dy grup mosha që kanë më shumë të ngjarë të preken nga infeksionet.

Shkencëtarët thonë se disa alternativa kurimi që ekzistojnë tani janë shumë të fuqishme për organizmin e fëmijëve, dhe vetëm pak antibiotikë janë në zhvillim. Ata parashikojnë që penicilina dhe erithromicina do të bëhen të pafuqishme për të kuruar 41 përqind të të gjitha infeksioneve të veshit, pneumoninë dhe meningjitin.

TRANSPLANTIM I QELIZAVE EMBRIONALE

Mjekët e një spitali pranë Detroitit thonë se pacienti i tyre i plagosur në zemër ndjehet mirë pas një kure gjenetike. 16 vjeçari Dimitri Bonnville tani ndjehet më mirë sesa të kishte pritur për një transplantim të zemrës. Ai thotë se kur e pyetën nëse dëshironte të trajtohej me kurë gjenetike, ai pranoi pasi nuk kishte rrugë tjetër.

Mjekët thonë se transplantimi gjenetik tek Dimitri ishte një eksperiment, i pari i këtij lloji. Kirurgët në spitalin Beamount pranë Detroitit morrën qelizat embrionale nga gjaku i pacientit, dhe i injektuan atë në zemrën e tij, me shpresë se me kalimin e kohës këto qeliza do të rigjenerojnë zemrën dhe parandalojnë problemet e mundëshme.

Muajin e kaluar Dimitri Bonnville u godit në zemër nga një çekiç pneumatik që përdoret për të ngulur gozhdat. Pas iu hoq gozhda, ai pësoi një goditje masive në zemër. Për një transplantim zemre atij do t’i duhej të priste radhën, kështu që familja e tij dhe mjekët vendosën të përdornin transplantimin e qelizave embrionale.

Mjekët thonë se në sajë të suksesit të këtij eksperimenti të jashtëzakonshëm, mënyra gjenetike e trajtimit të rasteve të tilla krijon shpresa për mijëra pacientë, jeta e të cilëve varet nga transplantimi i zemrës

XS
SM
MD
LG