Lidhje

SHBA shtojnë trysninë - 2003-03-12


Zyrtarët amerikanë thonë se Presidenti Bush kërkon që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të hedhë në votë një rezolutë të re për Irakun megjithë kundërshtimin e fortë të disa prej anëtarëve të Këshillit.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ari Fleischer tha dje se Uashingtoni do të kërkojë nga fundi i kësaj jave një votim lidhur me një projekt-rezolutë, që do t’i hapte rrugën veprimeve ushtarake kundër Irakut, nëse Bagdadi nuk çarmatoset vetë.

Zëdhënësi tha se Shtetet e Bashkuara dhe Britania, hartues të projekt-rezolutës, mund të jenë gati për ta shtyrë edhe disa ditë afatin e 17 marsit për çarmatosjen e Irakut, si pjesë e një kompromisi. Por ai e hodhi poshtë kategorikisht idenë që afati të shtyhet të paktën 1 muaj.

Ambasadori britanik në Kombet e Bashkuara, Jeremy Greenstock, tha se ndryshimet që mund t’i bëheshin projekt-rezolutës mund të përfshinin vendosjen e disa kushteve që Iraku të demonstrojë se e ka marrë vendimin strategjik për t’u çarmatosur si dhe përcaktimin e një afati pak më të ndryshëm. Por ai tha se ky afat nuk do të mund të shtyhej përtej muajit mars.

Ndërkohë, sekretari britanik i mbrojtjes, Geoff Hoon tha sot se Shtetet e Bashkuara e dinë se në rastin e një lufte, ato mund të llogarisin mbështetjen e fuqishme ushtarake të Britanisë.

Zoti Hoon e bëri këtë deklaratë si reagim ndaj komenteve të djeshme të sekretarit amerikan të mbrojtjes, Donald Rumsfeld, i cili la të kuptohet se Shtetet e Bashkuara mund të ndërmarrin veprime ushtarake të vetme nëse Britania nuk mund të marrë pjesë për shkak të problemeve të politikës së brendshme.

Më vonë, zoti Rumsfeld bëri një deklaratë tjetër ku tha se të gjitha arësyet e shtynin të besonte se Mbretëria e Bashkuar do të jepte një kontribut të rëndësishëm ushtarak.

XS
SM
MD
LG