Lidhje

Blerim Shala: vrasja e Xhinxhiçit pezullon planet për dialog me Beogradin - 2003-03-12


Kryeministri Xhinxhiç kohët e fundit ndoqi një politikë mjaft intensive për Kosovën, duke këmbëngulur në hapjen e bisedimeve midis Beogradit dhe Prishtinës. Vrasja e tij pritet ta pezullojë procesin. Botuesi i gazetës Zëri, zoti Blerim Shala, thekson në një intervistë me Zërin e Amerikës se, megjithë krizën politike që do të pasojë këtë vrasje në Serbi, çështja e Kosovës nuk mund të jetë peng e ndryshimeve në udhëheqjen e Beogradit.

Zëri i Amerikës: Zoti Shala, pezullimi i nismave të kohëve të fundit të Beogradit mbi Kosovën që pritet të ndodhë tani pas vrasjes së kryeministrit serb, çfarë ndikimi mendoni se do të kenë ato? A do t’u japë kjo më shumë kohë politikanëve shqiptarë për t’u përgatitur për strategjinë e bisedimeve?

Blerim Shala: Mendoj që keni të drejtë. Pas vrasjes së kryeministrit Xhinxhiç nuk mund të pritet dialog për çfarëdo çështjesh, përfshirë këtu edhe çështjet praktike apo jo-statutore. Këtë vit, sidomos, mendoj që dialog të tillë nuk do të ketë, për arsye se Serbia tash do të hyjë në një krizë shumë të thellë politike, krizë të legjitimitetit dhe të udhëheqjes. Me gjasë, Serbinë e presin zgjedhje të jashtëzakonshme, së pari gjendja e jashtëzakonshme do të shpallet presupozojmë sonte, pra udhëheqja serbe nuk do të ketë kohë të preokupohet në mënyrë aq intensive me Kosovën siç ka ndodhur deri sot. Pra dialog sivjet nuk do të ketë. Mendoj që do të jetë një kohë shtesë për udhëheqësit shqiptarë që të mendojnë më intensivisht se çfarë raportesh duhet të krijohen midis Kosovës dhe Serbisë, po ashtu shpresoj që serbët e Kosovës, në veçanti, do të kuptojnë pozicionin e tyre real, për arsye se Xhinxhiçi, në muajt e fundit, ishte bërë një lloj udhëheqësi i tyre, ai projektonte koncepsionin politik, ishte një lloj strategu përse i përket pozicionit të tyre në Kosovë. Tash kanë mbetur pa udhëheqësin e tyre, dhe do të duhej të shfrytëzohej ky rast që serbët e Kosovës të kthehen kah Kosova dhe të bisedojnë me udhëheqësit shqiptarë për realizimin e kërkesave të tyre, gjithësisht për normalizimin e situatës në Kosovë.

Zëri i Amerikës: A ekzistojnë shqetësime në Kosovë se në Serbi mund të vijë tani një politikan, le ta quajmë, më pak reformator, ose një politikan i një krahu më të ashpër, më nacionalist?

Blerim Shala: Pozita e çështjes së Kosovës nuk mund të jetë peng e udhëheqjes serbe, nuk mund të jetë konsekuencë e asaj se kush është në krye të Beogradit. Mendoj që qëmoti është kuptuar që çështja e Kosovës është një çështje e vetvendosjes së popullit të saj, prandaj pa marrë parasysh kush do të jetë në Beograd, kosovarët do të jenë për pavarësi dhe mendojmë të gjithë që duhet ta arrijmë pavarësinë. Sidoqoftë ne nuk mund të injorojmë zhvillimet në fqinjësi, mund të ketë trazira e turbullira në Serbi, mund të ketë edhe konsekuenca sidomos në rajonet kufitare, ndoshta edhe në Luginën e Preshevës. Zakonisht, udhëheqja serbe në raste të tilla si ky, ka përdorur metoda të spostimit të tensioneve prej kryeqendrës në skajet e vendit, veçanërisht, kam frikën për sa i përket Luginës së Preshevës. Por mund të ndodhë edhe e kundërta, për shkak të preokupimit aq të madh në kryeqendër, mund të lenë pas, ngjarjet, zhvillimet në Luginën e Preshevës.

Zëri i Amerikës: Çfarë ndikimi mund të ketë kjo krizë e re në Serbi për stabilitetin në përgjithësi në rajonin e Ballkanit. Sapo dëgjuam ministrin e jashtëm të Shqipërisë që tha që tashmë bazat e stabilitetit për të ardhmen janë hedhur në këtë rajon. A mendoni se kjo do të ndikojë për ta kthyer procesin pas?

Blerim Shala: Me siguri, Serbia, siç thamë më herët, do të ketë telashe serioze në të ardhmen, dhe kjo do të ketë konsekuenca për stabilitetin në mbarë rajonin. Dimë që Bashkimi Evropian ka një qasje rajonale dhe dëshiron që të gjitha vendet e rajonit të përparojnë, të bashkëpunojnë, të jenë pjesë përbërëse e pakos së integrimeve në Bashkimin Evropian dhe në Nato. Në rastin e Kosovës mendoj se prania e KFOR-it, e UNMIK-ut, forcimi i pushtetit tonë do të pamundësojnë ndonjë ndikim negativ shumë të madh. Por them se kryesorja në këtë rast është që serbët e Kosovës ta shfrytëzojnë këtë rast, të kuptojnë realitetin dhe seriozisht të fillojnë një bashkëpunim me politikanët shqiptarë. //ad//

XS
SM
MD
LG