Lidhje

Sekretari i Shtetit, Kolin Powell komenton mbi rezolutën 1441 - 2003-03-13


Marrëveshja e vitit 1991 për armëpushim e cila i dha fund Luftës së Gjirit Persik, i kërkonte diktatorit të Irakut, Sadam Husein të hiqte dorë nga armët e shkatërrimit në masë, të asgjësonte raketat balistike me rreze më të gjatë se 150 kilometra dhe të ndalonte programin e armëve bërthamore. Por Sadam Husejn nuk ka pranuar të zbatojë një seri rezolutash të Kombeve të Bashkuara të cilat i kërkojnë atij të çarmatoset.

Në nëntor të vitit të kaluar, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara i dha Irakut një shans të fundit. Por, gati katër muaj pas miratimit njëzëri të rezolutës 1441, Sadam Husejn nuk i ka përmbushur kërkesat për t’u çarmatosur. Sadam Husejn, tha Sekretari i shtetit, Kolin Pauëll, ka treguar për 12 vjet se nuk shqetësohet se çfarë mendon pjesa tjetër e botës. Ai synon të zotërojë armë të shkatërrimit në masë. Ai do ta manipulojë opinionin botëror. Do të bëjë çdo gjë që të duket se po bashkëpunon dhe po zbaton rezolutat, kur është e qartë se as po bashkëpunon e as po zbaton rezolutat.

Iraku ka bërë kërkime për një mori agjentësh biologjikë, përfshirë antraksin, helmin botulinum dhe ricinën, si dhe për agjentë që mund të shkaktojnë epidemi murtaje, tifoje, kolere dhe të sëmundjeve të tjera. Për 12 vjet Iraku nuk ka pranuar të zbulojë përmasat e programeve të tij kimike dhe biologjike.

Për më tepër, Kombet e Bashkuara kanë njoftuar se Iraku nuk ka dhënë informacion të besueshëm për më shumë se 500 predha me gaz mustard dhe bomba R-400, të afta të përhapin agjentë kimikë. Iraku ka ofruar shumë pak prova të besueshme lidhur me mijëra municione speciale, që mund të shpërndajnë agjentë kimikë dhe biologjikë në vendet-fqinje.

Iraku e ka pranuar se raketat e tij balistike e kapërcejnë kufirin e 150 kilometrave, të caktuar nga Kombet e Bashkuara. Vetëm tani, pas një ngurimi të plotë, Iraku ka filluar të shkatërrojë disa prej raketave të tij al-Samud. Për më tepër, Iraku, ka bërë përpjekje të përsëritura për të shtënë në dorë tuba alumini të cilat mund të përshtaten për t’u përdorur në pajisjet për pasurimin e uraniumi për armë bërthamore.

Zoti Pauëll tha se e di nga përvoja e tij si ish-ushtarak, që ka marrë pjesë në luftë, që ka drejtuar forca në luftë dhe që ka dërguar forca në luftë se nganjëherë nuk mund të gjendet një zgjidhje paqësore kështu që duhet përdorur forca e armëve. Sekretari amerikan i Shtetit Pauëll thotë se është i përgatitur të drejtojë një koalicion të vendeve të gatshme, me apo pa autoritetin e Kombeve të Bashkuara me qëllim që të çarmatosë Sadam Husejnin.

//rd//

XS
SM
MD
LG