Lidhje

Kosovë: Bisedimet me Beogradin në pritje - 2003-03-13


Shefi i UNMIK-ut Michael Steiner, tha sot se bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, duhet të presin për një kohë, për shkak të situatës së re të krijuar ne Serbi pas vrasjes së kryeministrit të saj Zoran Xhinxhiç. Ai i bëri këto komente pas takimit me një delegacion të Komisionit Evropian, ekspertët e të cilit kanë filluar takimet e para të Mekanizmit të Bashkimit Evropian për procesin e stabilizim asociimit të Kosovës.

Zoti Steiner tha se ky takim po mbahet në një periudhë të zhvillimeve tragjike në Serbi, duke dënuar sërish fuqishëm vrasjen e kryeministrit serb. Kjo vrasje tha ai do të ndikojë edhe në bisedimet e paralajmëruara ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për zgjidhjen e cështjeve teknike te interesit të ndërsjellë. “Qeveria në Beograd tash do të përballet më një situatë të re dhe duhet t’I japim kohë ngase siç dihet atje është shpallur dhe gjendja e jashtëzakonshme”. Për këtë arsye tha ai “duhet pritur me durim zhvillimet e ardhshme atje, kurse Institucionet ndërkombëtare dhe vendore në Kosovë duhet të jenë të qeta dhe të vazhdojnë punën në përmbushjen e qëllimeve të tyre”.

Ndërkaq ai e vlerësoi si shumë të rëndësishëm fillimin e përfshirjes së Kosovës në Procesin e Stabilizim-Asocimit. “Fillimi i këtij procesi është një shenjë shumë inkurajuese për Kosovën, sepse e vë atë në binarë të duhur, ndërsa standardet e vëna për Kosovën janë të njëjtat të cilat Komisioni Evropian I ka vënë për të gjitha vendet e rajonit”, tha zoti Steiner.

Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi tha nga ana e tij se fillimi i këtij procesi dëshmon se Kosova në bashkëpunim me Komisionin Evropian synon realizimin e kritereve që kërkohen nga BE-ja.“Pra që Kosova të mos mbetet pikë e zeze për rajonin dhe pavarësisht nga çështja e statusit të padefinuar, procesi i stabilizim-asociimit do ta ndihmojë Kosovën që të mos mbetet anash ose e izoluar”, tha kryeministri rexhepi.

Reinhard Priebe, drejtor për Ballkanin perëndimor në Komisionin Evropian tha se organizata e tij synon që institucionet e Kosovës të jenë më afër standardeve evropiane, meqë ardhmëria e Kosovës është në integrimin Evropian. “BE nuk dëshiron që Kosova për shkak të cështjeve të pazgjidhura të lërë mënjanë procesin e integrimit”, tha zoti Priebe.

Takimet e sotme janë të parat në serinë e takimeve që do të mbahen cdo tre muaj në kuadër të mekanizmit të ri që do të drejtohet ne UNMIK-u Qeveria e Kosovës dhe Komisioni Evropain. Zyrtarët thanë se bisedimet e para kanë përfshirë rolin dhe metodat e punës së këtij mekanizmi si dhe respektimin e kritereve politike dhe ekonomike te BE-së ku përfshihen parimet themelore te demokracisë, sundimi i ligjit, të drejtave të njeriut dhe pakicave dhe reformat në ekonominë e tregut.

//rd//

XS
SM
MD
LG