Lidhje

Rrezatimi rreth Marsit mund të dëmtojë udhëtarët e hapësirës - 2003-03-14


Ata që udhëtojnë për në Mars, duhet të kenë kujdes. Një satelit amerikan në orbitën e planetit të kuq tregon se rrezatimi i hapësirës rreth Marsit është shumë i fortë. Një gjë e tillë paraqet rreziqe të mëdha për shëndetin e eksploruesve të ardhshëm.

Informacionet nga anija Odyssey që ndodhet në orbitën e Marsit tregojnë se agjencisë amerikane të hapësirës, NASA do t’i duhet të marrë masa të forta për t’i mbrojtur vizitorët e ardhshëm nga rrezatimi që bombardon planetin.

Prej një viti, anija Odyssey po mbledh të dhëna mbi aspekte të ndryshme të mjedisit marsian. Një nga shkencëtarët që po studiojnë rrezatimin, Cary Zeitlin i Institutit Kombëtar të Hapësirës për Studime Biomjekësore në Houston, pohon se Marsi është një vend i rrezikshëm për njerëzit.

Ai thotë se një astronaut mund të thithë një sasi rrezesh kanceroze në një mision trevjeçar në Mars, të barazvlefshme me atë që NASA lejon gjatë gjithë karrierës së një astronauti. Zoti Zeitlin vë në pah se doza vjetore e rrezatimit në Mars është deri në një mijë herë e madhe sesa rrezatimi natyror i tokës.

“Këto doza janë shumë më të larta nga ato që dikush mund të merrte në sipërfaqen e tokës. Kështuqë pa dyshim pakësimi i rrezikut nga rrezatimi është diçka për të cilin duhet të marrin masa ata që planifikojnë misionet e ardhme”, thotë ai.

Rrezatimi e bombardon Marsin nga Dielli dhe nga burime të panjohura në galaktikën tonë. Rrezet godasin edhe tokën, por atmosfera jonë na mbron nga pjesa më e madhe e tyre. Atmosfera marsiane është shumë e rrallë dhe për këtë arsye nuk ofron të njëjtën mbrojtje.

Intensiteti i rrezatimit diellor ndryshon në një cikël prej 11 vjetësh. Zoti Zeitlin thotë se në kulmin e rrezatimit, në fund të ciklit, shpërthimi i grimcave të rrezatuara diellore mund të shkaktojë për një kohë të shkurtër një rrezik të madh për shëndetin e udhëtarëve të hapësirës.

Satelitët amerikanë, evropianë dhe japonezë po studiojnë Diellin dhe disa prej tyre masin stuhitë diellore që shkaktojnë bombardimin e planeteve me grimca të rrezatuara. Në sajë të tyre, shkencëtarët janë në gjendje të parashikojnë aktivitetet e shtuara diellore dhe të paralajmërojnë për shpërthime që megjithëse jo aq të rrezikshme sa rrezatimi mund të ndikojnë në fushën magnetike të Tokës dhe të shkaktojnë dëme tek rrjeti elektrik.

Parashikime të tilla do të duhet të bëhen edhe për vizitorët e ardhshëm të Marsit, pra që ata të kenë kujdes. Zeitlin thotë se rrezatimi është i përballueshëm nëse ata banojnë në struktura të posaçme të mbrojtura strehimi.//kk//

XS
SM
MD
LG