Lidhje

Zyrtarë të lartë të administratës amerikane thonë se koha që Bagdadi të plotësojë kërkesat e OKB-së po mbaron - 2003-03-16


Zyrtarë të lartë të administratës së Presidentit Bush thonë se koha që Iraku të plotësojë kërkesat për t’u çarmatosur në mënyrë paqësore, po mbaron. Nënpresidenti amerikan, Riçërd Çeni, tha se Presidenti Bush do të vendosë brenda pak ditësh se si do të veprojë lidhur me Irakun. Në një intervistë sot me rrjetin televiziv NBC, nën-presidenti Çeni shprehu mendimin se Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate janë në fazat përfundimtare të diplomacisë lidhur me Irakun. Shtetet e Bashkuara kanë kërcënuar në mënyrë të përsëritur të ndërhyjnë ushtarakisht kundër Irakut në rast se ky i fundit nuk heq dorë nga armët e shkatërrimit në masë.

Zoti Çeni hodhi poshtë një propozim francez sipas të cilit Irakut do t’i jepej 30 ditë afat që të çarmatoset. Nënpresidenti amerikan tha se çdo shtyrje tjetër vetëm do të ndihmonte udhëheqësin irakian, Sadam Husein.

Në një intervistë në emisionin ”Meet the Press” të rrjetit televiziv NBC, nënpresidenti Dick Çeni tha se Shtetet e Bashkuara dhe aletatët e tyre janë afër mbarimit të të gjitha përpjekjeve të tyre për gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike. ”Shihet qartë se Presidenti Bush do të ndërmarrë një vendim tepër të vështirë dhe të rëndësishëm brenda pak ditësh”, tha zoti Çeni.

Presidenti Bush është shprehur se, ndërsa do ta mirëpriste mbështetjen e Kombeve të Bashkuara për ndërhyrje të mundshme ushtarake, ai beson se ekzistojnë kompetencat e nevojshme ligjore për çarmatosjen e Irakut me forcë, po qe se ky i fundit nuk plotëson kërkesat e OKB-së.

Duke folur në emisionin televiziv Fox News Sunday, Sekretari amerikan i Shtetit, Kolin Pauëll, tha se ka një rrugë që lufta me Irakun të shmanget. ”Po qe se Saddam Hussein, djemtë e tij dhe një numër udhëheqësish të lartë do të largoheshin dhe një udhëheqje më e përgjegjshme do të vinte në pushtet, atëherë lufta sigurisht që do të mund të shmangej”, tha Sekretari Pauëll.

Por ai tha se nuk mendon që Saddam Hussein do të jetë i gatshëm të largohet nga Iraku.

Këto paralajmërime bëhen ndërkohë që Presidenti Bush po takohej me udhëheqësit e lartë të Britanisë dhe Spanjës për të rishikuar alternativat lidhur me Irakun, ndërkohë që duket gjithnjë e më i parealizueshëm miratimi i një rezolute të re të Kombeve të Bashkuara. //az//

XS
SM
MD
LG