Lidhje

Prokurori i Përgjithshëm Sollaku: trafikantët kanë arritur të sfidojnë shtetin - 2003-03-17


Raporti qe paraqiti sot përpara parlamentit, prokurori i përgjithshëm Theodhori Sollaku, përtej shifrave dhe statistikave të krimit, tashmë të njohura prej shumë ditësh, mbetet megjithatë i rëndësishëm për një varg problemesh shqetësuese që ngrihen.

Ajo që sidomos në këto vitet e fundit është lëshuar si alarm nga komuniteti ndërkombëtar, për nivelin e krimit të organizur në Shqipëri, tashmë thuhet hapur dhe nga kryeprokurori: “Pavarësisht nga arritjet e deritanishme të policisë dhe prokurorisë, trafikantët në përgjithësi kanë arritur të sfidojnë shtetin” tha kryeprokurori.

Sipas zotit Sollaku, grupet kriminale shqiptare veprojnë në tregjet kryesore ndërkombetare të drogës dhe prostitucionit, ndërsa në Shqipëri pjestarë të tjerë merren me investimin e të ardhurave që nxjerr veprimtaria kriminale jashtë vendit. Zoti Sollaku shpjegon se krimi ka arritur të sfidojë edhe institucionet kompetente të vendeve europiane, por në këtë luftë shprehet në raportin e tij kryeprokurori, fitues do të dalin ato vende që kanë vullnet për të luftuar. “Ky vullnet -pranon zotit Sollaku - ekziston dhe në Shqipëri por duhen shenja konkrete, në radhë të parë të një vullneti politik në luftë kundër krimit të organizuar

Mjeti më i mirë, sipas prokurorit të përgjithshëm, për të parandaluar vazhdimin e veprimtarisë së grupeve kriminale është dobësimi i fuqisë së tyre ekonomike. Zoti Sollaku ka deklaruar se në Shqipëri grupe apo persona me të ardhura të dyshimta financimi kanë mundur të privatizojnë objektet shtetërore. Ai ka përmendur edhe biznesin e ndërtmit ku me miliona dollarë qarkullojnë në cash pa kaluar nëpërmjet sistemit bankar. Kryeprokurori në raportin e tij paralajmëron se “nëse nuk ndërhyhet për të normalizuar dhe kontrolluar këtë situatë, fuqia ekonomike e organizatave kriminale do të forcohet më tej dhe njerëzit e kriminalizuar do të vazhdojnë të sfidojnë shtetin”.

Statistikat e paraqitura në raport, megjithëse flasin për një përmirësim të veprimatrisë së prokurorisë, sërish nuk përfaqësojnë një pasqyrë të realitetit shqiptar. Dhe ky është një përfundim në të cilin ka dalë vetë kryeprokurori. Sipas tij numri i cështjeve që referohet nga policia për krimin e organizuar është shumë më i vogël në raport me atë që ekziston realisht. Po kështu edhe përsa i përket korrupsionit. Shifrat për këtë cështje janë më të larta se më parë, por po të shohësh në detaje, nga mbi 170 persona të proceduar penalisht për forma të ndryshme korrupsioni, një pjesë shumë e vogël e tyre janë zyrtarë të lartë. Pjesa dërrmuese përfaqësojnë nëpunës kryesisht të nivele të ulta.

Raporti i prokurorit të Përgjitshëm u parapri nga kërkesa e opozitës për zhvillimin e një debati rreth gjendjes së kriminalitetit. Një debat i cili pritet të caktohet për seancat e ardhshme të parlamentit.

//rd//

XS
SM
MD
LG